ATV

Tag: Aksident me fatalitet

  • Një burrë 76-vjeçar vdes pasi u godit nga një veturë në Mitrovicë të Jugut

    Një burrë 76-vjeçar vdes pasi u godit nga një veturë në Mitrovicë të Jugut

    Një burrë 76-vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga një veturë në Mitrovicë të Jugut.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në rrugën “Ulqini”, njofton Policia e Kosovës.

    Sipas raportit policor, si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

    Megjithatë, më vonë autoritetet spitalore kanë njoftuar se 76-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.

  • Flet familjari i dy mërgimtarëve që ndërruan jetë në aksidentin në Hungari

    Flet familjari i dy mërgimtarëve që ndërruan jetë në aksidentin në Hungari

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Befasinë që planifikonin t’ua bënin familjeve nuk e realizuan. Dy mërgimtarë njëri 28 e tjetri 29-vjeçar të cilit vinin nga Gjermania, vdiqën si pasojë e një aksidenti në afërsi të Budapestit.

    Dy familjet që hapen dyert për ngushëllime kanë pak detaje rreth aksidentit.

    Derisa Policia e Hungarisë është ende duke i hetuar shkaqet, konfirmoi se dy kosovarët kishin vdekur në vend të ngjarjes.

    “Dy persona kanë vdekur pasi u ndeshën me një kamion në autostradën M1 afër Mos-honsentmik-losh. Vetura lëvizte me shpejtësi të madhe dhe u ndesh në pjesën e pasme të kamionit. Ngasësi i kamionit doli jashtë dhe nxori njërin prej udhëtarëve i cili tashmë kishte vdekur ndërkaq udhëtari i dytë mbeti brenda veturës kur ajo u dogj”, ka deklaruar Nemeth Ramona nga Policia e Hungarisë.

    Familjeve në ndihmë u ka dalë është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e cila njoftoi që përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani janë duke i kryer procedurat për kthimin e trupave të dy kosovarëve në vendlindje. 

    Derisa presin trupat gjendja e familjarëve është e rëndë.

    Kushtrim Hoxha dhe Jetmir Rexhepi ishin familjarë në mes vete ndërkaq në Kosovë vinin për vizitë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon e më poshtme:

  • “Njëri është djegur bashkë me dokumentat e tij”- Flet familjari i njërit prej mërgimtarëve që vdiqën në një aksident në Hungari

    “Njëri është djegur bashkë me dokumentat e tij”- Flet familjari i njërit prej mërgimtarëve që vdiqën në një aksident në Hungari

    Kushtrim Hoxhaj, 28 vjeçar nga Prizreni dhe Jetmir Rexhepi rreth 30 vjeçar nga fshati Celinë e Rahovecit janë viktimat të cilat kanë ndërruar jetë derisa po vinin në Kosovë, si pasojë e një aksidenti trafiku në Hungari, ku vetura e tyre u përplas me një kamion dhe kishte marrë flakën.

    Kështu thotë për KosovaPress axha i Kushtrimit, Bashkim Hoxha derisa thekson se autoritetet po e kanë të vështirë që ta identifikojnë Jetmir Rexhepin, pasi ky i fundit kishte marrë flakë në makinë bashkë me të gjitha dokumentet personale.

    Ai shton se do të bëhet obduksioni i trupave të viktimave, për çka thotë se ndoshta do tu duhet edhe familjarëve të Jetmirit për të shkuar në Gjermani për të ndjekur procedurat e identifikimit.

    Hoxha potencon se nuk kanë marrë ndonjë informacion të saktë se kur do të kthehen trupat e pa jetë të viktimave për varrim në Kosovë.

    “Mbrëmë rreth orës 1 e 15 minuta sipas informatave që na i ka dhënë policia gjermane, janë aksidentuar me një kamion të madh në autostradë në Hungari. Makina ka marrë flakë, Jetmir Rexhepi, dhëndri ka vdekur në vend dhe janë djegur të gjitha dokumentet. Ndërsa Kushtrimi ka ndërruar jetë gjatë transportit për spital. Ne po presim para të hënës nuk po besoj që fillojnë procedurat e obduksionit dhe rregullimin e dokumenteve. Është problem me rastin e Jetmir Rexhepit të cilit iu kanë djegur të gjitha dokumentet që ka pasur në trup, nuk po mund ta identifikojnë, vetëm që e dimë kush është…Kur pritet të kthehen kufomat në Kosovë? Deri në këtë moment nuk dimë, pas të hënës fillojnë procedurat, a vonojnë dy ditë apo tri, një javë apo brenda ditës edhe ambasada nuk na jep më shumë shpjegime se nuk i di procedurat që i ka shteti. Me siguri duhet të shkojnë familjarët atje të dëshmojnë, nuk e di se si do të rrjedhi pastaj”, thotë Hoxha.

    Ndër të tjera, familjari i viktimës thotë se 20 minuta para se të ndodhte aksidenti, Kushtrimi kishte kontaktuar djalin e tij dhe i kishte thënë se është rrugës për të mbërritur në Kosovë.

    Gjithashtu ai tregon se Kushtrimi është djali i vetëm i vëllait të tij, që kishte lindur pas tri motrave, e që i njëjti tashme ka lënë një vajzë katër muajsh pas vetes.

    Po ashtu, ai potencon se edhe Jetmiri ishte prind i djalit një vjeçar.

    “(Kushtrimi) Djalë pas tri motrave ka lindur ai, ka lënë një vajzë katër muajshe, ndërsa Jetmiri e ka lënë djalin një vjeç, të dy nga një fëmijë kanë pasur…Bile 20 minuta para se të ndodhë, i kishte shkruar djalit tim Drilonit, ‘Ei mashkull mos flejë se unë mbërrijë sonte, mos flejë në gjumë’, se janë rritur bashkë ata. Më tregoi djali edhe mesazhin”, thotë Hoxha.

    Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.

    Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

  • Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

    Vdekja tragjike e dy kosovarëve në Hungari, kryetari i Rahovecit shpreh ngushëllime

    Mbrëmë në Hungari ka ndodhur një aksident trafiku ku si pasojë kanë vdekur dy mërgimtarë nga Kosova.

    Viktimat janë Kushtrim Hoxha nga Prizreni dhe Jetmir Rexhepi nga Rahoveci.

    Për vdekjen e tyre sot ka shkruar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ngushëlloi familjet e të ndjerëve.

    “I tronditur nga vdekja tragjike në aksident komunikacioni në Hungari e Jetmir Rexhepit nga Celina. Viktimë e aksidentit ka qenë edhe Kushtrim Hoxhaj nga Prizreni. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Rexhepi nga Celina dhe familjes Hoxhaj nga Prizreni. Jetmiri dhe Kushtrimi, pushofshin në paqe!”, ka shkruar ai.

    Pamje të aksidentit në Hungari ku vdiqën dy mërgimtarë nga Kosova

    Tragjike: Humbin jetën dy mërgimtarë në një aksident trafiku

  • Aksident i rëndë në afërsi të Plavës, raportohet për katër të vdekur

    Aksident i rëndë në afërsi të Plavës, raportohet për katër të vdekur

    Katër persona raportohet se kanë vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në Barane në afërsi të Plavës, në Mal të Zi.

    Siç raportojnë mediat atje dy nga viktimat janë çift bashkëshortor.

    Nga ky aksident ka mbetur i plagosur edhe një person, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Radio Televizioni i Malit të Zi raporton se të gjithë të vdekurit janë nga Plava.

  • Aksident trafiku me fatalitet në Podujevë, vdes një person ndërsa një tjetër lëndohet rëndë

    Aksident trafiku me fatalitet në Podujevë, vdes një person ndërsa një tjetër lëndohet rëndë

    Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar në një aksident që ka ndodhur mbrëmë, në fshatin Llapashticë të Podujevës.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Llapashticë të Podujevës.

    Ai ka bërë të ditur se personi i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti.

    “Rreth orës 20:00, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën “Qëndresa” në fshatin Llapashticë të komunës së Podujevës. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura. Një person ka humbur jetën ndërkaq një tjetër është dërguar në QKUK, ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, ka thënë Borovci.

  • Tre persona humbin jetën në një aksident në autostradë afër Prizrenit, dy vetura po garonin ilegalisht

    Tre persona humbin jetën në një aksident në autostradë afër Prizrenit, dy vetura po garonin ilegalisht

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të Prizrenit.

    Sipas raportimeve të para, dyshohet për të paktën tre të vdekur si pasojë e këtij aksidenti dhe disa të tjerë janë lënduar.

    Aksidenti është shkaktuar si pasojë e garave në në autostradën “Ibrahim Rugova”, afër Prizrenit.

    Njëra nga veturat ka goditur disa persona të cilët po qëndronin pranë autostradës dhe ishin duke e ndjekur garën në momentin kritik.

  • Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se nuk shtetas shqiptarë në radhët e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik në Itali.

    Nga ky dikaster kanë shprehur pikëllimin për këtë ngjarje, derisa kanë uruar shërim të shpejtë të të lënduarve të këtij aksidenti tragjik.

    “Thellësisht të pikëlluar nga lajmi i aksidentit tragjik në Mestre të Italisë. Shqipëria shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve të këtij aksidenti tragjik”, thuhet në reagimin MEFA-së.

    Kujtojmë se në aksidentin e mbrëmshëm në Mestre të Italisë humbën jetën mbi 20 persona ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.