ATV

Tag: AKI

  • Shefi i AKI-së raporton sot para deputetëve

    Shefi i AKI-së raporton sot para deputetëve

    Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, do të raportojë sot në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.

    Në mbledhjen që pritet të fillojë në orën 10:00, janë në rend dite edhe tri pika tjera.

    Ndryshe, Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së udhëhiqet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, teksa anëtarë janë pesë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, një nga PDK-ja, një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.

  • Gjykimi për dëbimin e shtetasve turq, ish-shefi i AKI-së shpallet fajtor

    Gjykimi për dëbimin e shtetasve turq, ish-shefi i AKI-së shpallet fajtor

    Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Gashi është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, në mars të vitit 2018. Gashit i është caktuar edhe dënimi plotësues.

    Por nga akuzat në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare u liruan ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, dhe Rrahman Sylejmani, ish-drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare.

    Përderisa mbrojtja e Gashit ka paralajmëruar se do të ankohet rreth vendimit në Apel, avokati i Sylejmanit tha se drejtësia ka triumfuar.

    Prokuroria Speciale e kishte akuzuar Driton Gashin, se pa siguruar asnjë provë se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, kishte rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit, me të njëjtin arsyetim ishin dëbuar nga Kosova gjashtë shtetas turq.

    Ndërkohë, ishte raportuar se vetëm një ditë para se të dëboheshin, pati takim mes zyrtarëve të Policisë, Departamentit për Migrim dhe dy zyrtarëve të AKI-së.

    Skandali i dëbimit të Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina për në Turqi, shtet ky që i akuzon për lidhje me Fetullah Gylenin, kishte nxitur reagime ndërkombëtare, për çka Kosova u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    AKI-ja në procedura të pranimit të agjentëve të rinj

    Për vite të tëra, Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk ka pranuar agjentë të rinj, ndonëse konkurse të hapura kishte pasur shumë herë.

    Megjithatë, AKI-ja së fundmi ka hapur dyert përsëri, për ata që duan të jenë pjesë e institucionit më të lartë të sigurisë në vend. Por kësaj here, Komisioni që mbikëqyrë punën e AKI-së thotë se po kujdesen që gjithçka të shkojë sipas ligjit, dhe të pranohen pjesëtarët e rinj.

    “AKI-ja në këtë rast si shpallës i konkursit është duke i kryer të gjitha procedurat në bazë të rregullave dhe ligjit, pra deri më tani mbarëvajtja e konkursit ka shkuar mirë. Kemi pasur më herët konkurse të cilat kanë dështuar, me vite të tëra kanë qenë konkurse të hapura të cilat, d.t.th ata persona që kanë konkurruar, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nëse konkurset janë anuluar apo janë ende të hapur”, tha kryetarja e komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.

    Rritja e numrit të agjentëve, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, është në të mirë edhe të performancës, pasi kështu garantohet siguria e vendit.

    “Mendoj se shtimi i personelit, modifikimi i personelit në konturat e caktuara i ndihmojnë strukturës së sigurisë së Kosovës, respektivisht AKI-së, që të jetë në treg me kohën, për të parandaluar, për të reaguar në kohën më optimale dhe për të garantuar sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, Shala vlerëson se rritja e kapaciteteve vjen edhe për shkak të rrezikut që i kanoset Kosovës, bazuar në strategjinë nacionale të sigurisë.

    “Sa i përket konkursit të fundit për të pranuar pjesëtarë të rinj, në kuadër të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, kjo kryesisht ndërlidhet me aspektin e rrezikut me të cilin do të kanoset Kosova, sipas Strategjisë nacionale të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës, dhe sipas kërkesave të cilat vijnë vetvetiu nga përmbyllja e arkitekturës së sigurisë së Kosovës”, tha Shala.

    Pa treguar se sa vende janë të lira në konkursin e AKI-së, Komisioni mbikëqyrës thotë se interesimi për të qenë pjesë e këtij institucioni është mjaft i lartë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Shteti “heq dorë” nga ish drejtuesit e inteligjencës

    Asnjë nga pesë ish-drejtorët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk janë të angazhuar në pozita të larta në institucionet shtetërore të sigurisë e as pjesë e kabineteve të presidentes apo kryeministrit.

    Vite më parë, disa prej tyre, punuan si këshilltarë për siguri në Presidencë, por një praktikë e tillë nuk u vazhdua – pasi legjislacioni aktual nuk krijon obligime ndaj institucioneve për angazhimin e tyre pas përfundimit të mandatit në Agjenci.

    Ekspertë të sigurisë e vlerësojnë moskujdes institucional në dëm të sigurisë kombëtare, mos-angazhimin e personave që kanë ushtruar ndonjërën nga tri pozitat kyçe në AKI: drejtor, zëvendës-drejtor dhe kryeinspektor.

    “Kjo është një neglizhencë nga niveli politik që nuk e ka paraparë fare mundësinë e inkorporimit të tyre për një periudhë afatgjate, për arsye se këta persona, të cilët kanë bartur funksione të larta në këtë institucion kanë klasifikuar informacione që e atakojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

    Duke përmendur ndjeshmërinë e informacioneve dhe përvojën e tyre, ekspertët vlerësojnë se duhet të bëhen ndryshime në legjislacion – për të mundësuar sistemimin në pozita të përhershme këshillëdhënëse.

    “Këta të mbesin në rrugë, në mëshirën e grupeve të tjera të interesit. Mendoj se në këtë aspekt duhet që sa më parë të jetë e mundur që këta persona të ri-inkorporohen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku mund të japin mendime, sugjerime në aspektin profesional, duke pasur parasysh përvojën e tyre. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet fillimisht të ndryshojë ligji, në rend të parë, por njëkohësisht t’u jepet mundësia që të gjithë akterët, edhe ish-drejtorët e Policisë të inkorporohen në këtë mekanizëm”, tha Shala.

    “Do të duhej që kjo çështje të rregullohej me Ligjin për AKI-në, të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, në mënyrë që këto tri figura kryesore udhëheqëse në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë të angazhohen dhe të japin kontribut në ato vende ku japin kontribut për sigurinë kombëtare të Kosovës”, tha Avni Islami, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Angazhimi si ligjërues në Akademinë për Siguri Publike përmendet si opsion tjetër.

    Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi ish-zëvendësdrejtoren e AKI-së, Vlora Hyseni, për ta udhëhequr inteligjencën shqiptare. Tri javë më parë ajo mori detyrën në krye të shërbimeve sekrete shqiptare, pas dekretimit nga ana e Presidentit, Bajram Begaj.

    Bashkim Smakaj, Agron Selimaj, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi janë pesë ish-drejtorët e AKI-së në periudhën 2009-2020. Nga vitit 2021, në këtë pozitë është Petrit Ajeti. /atvlive.tv

    Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: