ATV

Tag: Ahmet Ismaili

  • Guvernatori i BQK-së raporton sot para deputetëve për rregulloren e re të BQK-së

    Guvernatori i BQK-së raporton sot para deputetëve për rregulloren e re të BQK-së

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje. Në këtë mbledhje pritet të raportojë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovë, Ahmet Ismaili.

    Ai do të flas lidhur më MSA-në, dhe lidhur më rregulloret e BQK-së. Lajmin për raportimin e guvernatorit Ismaili e ka konfirmuar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    Ai, në profilin e tij në Facebook, ka thënë se guvernatori i BQK-së do të raportojë në Komisionin Parlamentar për Buxhet për takimin në Bruksel, për rregulloren e valutave të huaja në Kosovë.

    “Me kërkesë të opozitës, nesër në orën 12:00, në Komisionin Parlamentar për Buxhet raporton Guvernatori i BQK-së lidhur pjesëmarrjen e tij të pakuptimtë dhe pa asnjë autorizim ligjor në dialog në Bruksel për rregulloren për përdorimin e valutave të huaja në Kosovë”, ka shkruar të martën Hoti.

  • Guvernatori i BQK-së: Në Bruksel diskutuam për modalitetet e financimit nga Serbia

    Guvernatori i BQK-së: Në Bruksel diskutuam për modalitetet e financimit nga Serbia

    Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.

    “Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismaili.

    “Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Para takimit të përbashkët, Lajçak u takua më herët gjatë 27 shkurtit me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në takimet në Bruksel të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

  • Presidentja Osmani dekreton guvernatorin e ri të BQK-së

    Presidentja Osmani dekreton guvernatorin e ri të BQK-së

    Presidentja Vjosa Osmani, sot ka dekretuar guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Ahmet Ismailin.

    Në njoftim thuhet se presidentja osmani ka uruar Ismailin për përzgjedhjen nga Kuvendi i Kosovës, duke i dëshiruar suksese në realizmin e detyrave dhe përgjegjësive, të cilat burojnë nga kjo pozitë e rëndësishme.

    “Sipas Presidentes Osmani, Kushtetuta, ligjet, integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë udhërrëfyes përgjatë punës në institucionet shtetërore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

    Ndërkaq, Ismaili ka prezantuar vizionin e tij për BQK-në, si dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të bazuar në përkushtimin ndaj shërbimit publik, efikas dhe transparent.

    Kjo është biografia e guvernatorit të ri të BQK-së: 

    Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik, ku edhe ka marrë titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa.

    Guvernatori në ardhje i institucionit më të rëndësishëm financiar në vend, është 39 vjeçar, i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë bashkë me familjen.