ATV

Tag: AGK

  • ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    ​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) kanë reaguar ndaj Projektligjit për KPM, duke thënë se propozimi ligjor, për herë të parë në historinë e re të Kosovës, ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video, nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.

    Ky projektligj detyron mediat online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet në Kuvend ku edhe është dërguar për miratim nga Qeveria në muajin janar 2024.

    AGK dhe KPM thonë se ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropianë janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se këto ndryshime i shohin si një përpjekje të re të qeverisë aktuale të sulmojë mediat me tendencë për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë duke përfshirë edhe nevojën që të licencohen në mënyrë të veçantë.

    “Arsyeja e kësaj konference është ligji i ri për KPM-në, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në fund të vitit të kaluar dhe e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës …Ky ligj do të ndikojnë direkt në punën e mediave online…Ndryshimet ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për ti kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të video duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe këtë e shohim si një tjetër përpjekje sulm tjetër të qeverisë ndaj lirisë së mediave…E ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshime,” tha Rexha.

    Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, tha se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit duke i detyruar mediat që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

    “Projektligji për KPM është aprovuar në mbledhjen e qeverisë 4 ditë para vitit të ri dhe është publikuar online në faqen e Zyrës së kryeministrit pas kërkesës sonë që ky dokument të bëhet publik… Për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit, duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror. Secila media online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet… Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare detyrohen që të hapin kompani për të plotësuar kërkesat e licencimit. Mediat online do të detyrohen që të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, do të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40 mijë euro”, tha ajo.

    Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, theksoi se qëllimi i projektligjit është pikërisht dobësimi i mediave të shkruara.

    “Qëllimi i projektligjit të KPM-së është pikërisht dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës…I bëjmë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë projektligj”, theksoi Mushkolaj.

    AGK dhe KMSHK janë përgatitur që t’i informojnë Këshillin e Evropës, OSBE-në, Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera.

    Ndryshe, ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja; mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja; mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%; mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro; KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht; anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

  • 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve janë raportuar për 10 muaj në AGK

    63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve janë raportuar për 10 muaj në AGK

    Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë raportuar gjithsej 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave që nga janari e deri në fund të muajit tetor të këtij viti .

    Në këto 63 raste të raportuara, 30 raste janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve në veriun e vendit, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene e raportime të tjera të ndryshme.

    ️Sipas të dhënave që posedon AGK-ja, vetëm për katër (4), prej rasteve të raportuar në organizatë dhe Policinë e Kosovës, ka filluar procedurë gjyqësore, ku sulmuesit/ve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Komunat që prijnë me më së shumti raste të sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara janë Prishtina me 22 raste, Zveçani dhe Leposaviqi me nga 13 raste. Teksa, komunat e tjera që janë raportuar rastet janë: Gjakova – 2 raste, Prizreni – 4 raste, Mitrovicë e Veriut – 1 rast, Fushë Kosova – 1 rast, Shtime – 3 raste, Kamenica -1 rast dhe Zubin Potoku – 2 raste.

    Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së ndëshkimit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nesër më 2 Nëntor – Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, do ta shënojë nëpërmjet një kampanje online duke publikuar qëndrimet e ambasadorëve, partnerëve, kolegëve gazetarë, si dhe juristëve të medias.

    Njëherësh, në kuadër të platformës rajonale, Safe Journalists, AGK-ja së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojë nga kolegët që të raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre në institucionet kompetente.

    Gjithashtu, nesër, 2 nëntor me fillim nga ora 17:00, në Kino Armata, në bashkëpunim me British Embassy Pristina – do të shfaqet dokumentari “Lyra”, për jetën, veprën dhe vrasjen e gazetares, Lyra McKee.

  • Stafi i AGK-së takohet me stafin e ECPMF-së për programin “Gazetarët në Residencë”

    Stafi i AGK-së takohet me stafin e ECPMF-së për programin “Gazetarët në Residencë”

    Stafi i programit Journalists in Residence – Kosovo vizituan partnerin e programit “Gazetarët në Rezidencë ”, European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në Leipzig të Gjermanisë.

    Vizita e udhëhequr nga Kryetari i Bordi të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, u bë me qëllimin e shkëmbimit të përvojave të implementimit të programit, i cili si i tillë ka nisur në shtetin gjerman, në vitin 2016.

    Gjatë vizitës dyditore në Leipzig, u diskutua për punën e ekipit të programit nga Kosova, si dhe atij nga Gjermania, dhe u shkëmbyen praktikat më të mira për implementimin e programit, si dhe sfidat e sukseset e arritura.

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, ishin të shoqëruar nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, Adem Sylejmani – Koordinator i Terrenit, Liridona Gërxhaliu – Financiere dhe Zyrtarja për Komunikim, Rabije Hyseni.

    Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, program i iniciuar nga ECPMF, e që po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

    Nga programi “Journalists in Residence – Kosovo”, kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve strehim në Kosovë.

  • Sot protestohet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës të Klan Kosova nga MINT

    Sot protestohet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës të Klan Kosova nga MINT

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën.

  • AGK-ja reagon pas sulmit ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan

    AGK-ja reagon pas sulmit ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan.

    AGK-ja është shprehur me shqetësim për sigurinë e kolegëve, që po raportojnë nga ajo pjesë.

    AGK-ja, sërish bënë thirrje tek organet kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët që të lejohen të bëjnë punën e tyre pa u penguar.

    Kujtojmë se në Zveçan është sulmuar me gurë ekipi i ATV-së, i përbërë nga gazetari Fatlum Jashari, kameramani Blend Thaçi, si dhe shoferi, Enis Sherifi, përderisa po përcillnin zhvillimet e fundit në këtë komunë.

    Protestuesit kanë goditur me gurë e gjësende të forta gazetarin, kameramanin e shoferin e ATV-së, ndërsa kanë demoluar edhe veturën.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur derisa në Mitrovicë të Veriut, Policia ka nisur aksionin për arrestimin e Milun Milenkoviq.

    Kolegu Fatlum Jashari, nëpërmjet telefoni ka informuar se ekipi e ATV-së, i cili ishte në terren në Zveçan, është sulmuar menjëherë pasi protestuesit serb lokal kanë kuptuar se në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një serb.

    Jashari ka treguar se është dashtë ndërhyrja e KFOR-it dhe EULEX-it për t’i ofruar siguri ekipit të ATV-së dhe largim të sigurt të tyre nga vendi i ngjarjes./ATVLIVE.TV/

  • ​AGK: Dy raste të pengimit të punës së gazetarëve nga mbrojtja e afërt e Kurtit dhe Rizvanollit

    ​AGK: Dy raste të pengimit të punës së gazetarëve nga mbrojtja e afërt e Kurtit dhe Rizvanollit

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar pas denoncimit të gazetarit, Kosovë Gjoci të Euronews Albania për pengimin në punë nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Gjoci ka njoftuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.

    Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë.

    Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “AGK-ja i konsideron këto veprime të papranueshme dhe i bën thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

  • Avokati Yll Zekaj ngre shqetësimin e madh, sulmet ndaj gazetarëve po rriten nga viti në vit

    Avokati Yll Zekaj ngre shqetësimin e madh, sulmet ndaj gazetarëve po rriten nga viti në vit

    Avokati i avokat i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Yll Zekaj, në një intervistë dhënë për emisionin DIREKT në ATV, ka ngritur një shqetësim të madh për sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë, duke thënë se këto sulme, po rriten nga viti në vit, transmeton atvlive.tv.

    Ai tha se sulmi ndaj gazetarit Valon Syla ishte sulm kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, liri këto të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

    “Shteti i Kosovës nuk po e gjen forcën dhe mundësinë që t’i sigurojë këto liri që formalisht janë të garantuara me aktet më të larta juridike, por në praktikë shteti po dështon që t’i mbrojë gazetarët nga sulmet e një pas njëshme me të vetmin qëllim që është kryerja e punës së tuyre apo informimi i publikut rreth ngjarjeve që ndodhin në vend”, tha Zekaj.

    Sipas tij, jo vetëm ndaj gazetarit Syla, por sulme të një pas njëshme po ndodhin edhe ndaj gazetarëve të tjerë dhe kjo ekskluzivisht lidhet me profesionin që gazetarët e ushtrojnë.

    Zekaj tha se është shqetësuese fakti se numri i sulmeve ndaj gazetarëve po rritet nga viti në vit.

    “Ne, veç nëse e zbërthejmë në numra rastin e sulmeve ndaj gazetarëve, shohim që çdo vit kemi numër më të madh të rasteve të sulmit ndaj gazetarëve. Nëse bëjmë një krahasim ndër vite, në vitin 2020 kemi patur 24 raste të sulmit ndaj gazetarëve, në vitin 2021 me 29 raste, në vitin 2022 kemi përfunduar vitin me 33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Kjo po tregon që shteti i jonë nuk po arrinë të qesë para përgjegjësisë sulmuesit e me dënime adekuate do t’i jepin një përgjigje që gazetarët nuk guxojnë të preken gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, tha avokati Zekaj. /atvlive.tv

  • AGK e mirëpret arrestimin e tre personave për sulmin ndaj Valon Sylës

    AGK e mirëpret arrestimin e tre personave për sulmin ndaj Valon Sylës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur arretimin e tre personave për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

    Njëherësh AGK-ja u ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës që konform ligjit të shqiptojnë dënimet e duhura.

    “AGK-ja, mirëpret veprimin e shpejtë të Policisë së Kosovës. Njëherësh, i bëjmë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës, që konform ligjit, të shqiptojnë dënimet e duhura për autorët e këtij sulmi në përputhje me sulmin e rëndë ndaj gazetarit, që cenon të drejtën themelore të një qytetari për lirinë e shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.

  • AGK e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

    AGK e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj gazetarir Valon Syla.

    AGK ka kërkuar hetime urgjente në lidhje me rastin ndaj Valon Sylës.

    Reagimi i plotë:

    AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

    Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

    Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.

    Rasti është hapur në Policinë e Kosovës.

    Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

    AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë.

    #SafeJournalists