ATV

Tag: Afrim Bunjaku

  • Raportimi dedikuar Heroit Afrim Bunjaku, OSBE-ja ndan mirënjohje për autorin e emisionit “N’frekuencë me Robin”

    Raportimi dedikuar Heroit Afrim Bunjaku, OSBE-ja ndan mirënjohje për autorin e emisionit “N’frekuencë me Robin”

    Departamenti për Siguri dhe Rend Publik i misionit të OSBE-së në Kosovë ndau mirënjohje për autorin e emisionit “N’Frekuencë me Robin” të ATV-së, Robert Bojaj, për raportimin dedikuar heroit Afrim Bunjaku dhe familjes së tij, referuar zbulimit të “stolit përkujtues” në nderim të rreshterit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.

    “Ishte transmetimi juaj, fjalët tuaja të mira, shpirti juaj që media është zëri i njerëzve për të gjithë njerëzit, në ngjarjen që i dha më shumë jetë zbulimit të stolit dhe respektit”, thuhet mes tjerash në mirënjohjen e nënshkruar nga drejtori i departamentit, Edward Thomas Anderson.

    Në mirënjohje, po ashtu, përmendet rëndësia e simbolikës së stolit në akademi, si një ulëse e cila do të shërbejë për kujtuar ata që, pavarësisht kushteve e rrethanave, sakrifikuan në detyrë me qëllimin që të tjerët të ndihen të sigurt.

     

  • Një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, ATV sjell të pathënat e kësaj ngjarjeje

    Një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, ATV sjell të pathënat e kësaj ngjarjeje

    Në njëmujorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, sonte në ATV do të transmetohet dokumentari “Dritëhijet e 24 shtatorit”, duke filluar nga ora 20:30.

    Në fillim të materialit 41 minutësh, për herë të parë do ta dëgjoni tregimin origjinal të Fahri Shalës, policit i cili me përvojën në UÇK mbi supe, pas rënies së rreshterit Afrim Bunjaku, udhëhoqi 7 policët patrullues e kufitarë, në ballafaqimin me terroristë që ishin superiorë në numër e armatim, duke ua pamundësuar avancimin në drejtime tjera.

    Për vazhdimin e betejës deri në largimin e sulmuesve, flet dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

    Ndër të tjera:

    Si u bë tërheqja e trupit të heroit, pas shumë përpjekjesh?
    Çka vërejtën policët disa sekonda para se të shpërthente mina e llojit “Mrud”?
    Cili ishte veprimi që shënoi kthesë në dyluftimin deri në 10 metra distancë?
    Cili, sipas Policisë, ishte plani i terroristëve nëse nuk do të konfrontoheshin nga policët e patrullës?   

    Këto dhe pikëpyetje tjera, hiqen sonte nga ora 20:30 në ATV.

  • Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Kuvendi i Kosovës me 97 vota për ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Pas koordinimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, tekstin e rezolutës e paraqiti kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ku mes tjerash kërkohet nga faktori ndërkombëtar të ballafaqojë Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen që i ka bërë këtij grupi.

    Aty i ofrohet mbështetje Policisë së Kosovës për ushtrimin e detyrave të saja në tërë territorin e Kosovës.

    Po ashtu i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës që të punojë me aleatët ndërkombëtarë, si dhe kërkohet nevoja për një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë në lidhje me organizimin e aktiviteteve terroriste.

    “Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë që po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin tonë shtetëror për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetin në rajon, të vendosur që Republika e Kosovës që të jetë vend i lirë dhe demokratik dhe atdhe i qytetarëve të saj të cilëve iu garantohen të drejtat, liritë dhe barazia ndaj ligjit. Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje që cenon, rrezikon dhe sulmon rendin kushtetues të Kosovës, Kuvendi i Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës me datë 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizim dhe mbështetjen e çfarëdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës. Vlerëson punën dhe angazhimin e rezultateve të jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe institucioneve partnere të sigurisë EULEX dhe KFOR për t’i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia”, tha Konjufca.

    Në këtë rezolutë po ashtu theksohet nevoja për pluralizëm politik në komunitetin serb në Kosovë.

    REZOLUTA E PLOTË:

    – Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

    – Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

    – Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

    – Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

    Kuvendi i Republikës së Kosovës

    1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

    2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

    3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

    4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

    5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

    6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

    7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.

  • Kështu ishte planifikuar gjithçka nga terroristët serb, detajet e planit i tregon gazetari Jashari

    Kështu ishte planifikuar gjithçka nga terroristët serb, detajet e planit i tregon gazetari Jashari

    Fshati Banjskë në Komunën e Zveçanit është hapur dje për qarkullim, pas përleshjes së armatosur që ndodhi atje të dielën, më 24 shtator, mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur, terrorist serb, me ç’rast mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe dy pjesëtarë tjerë mbetën të lënduar. 

    Mirëpo, pesë ditë pas këtyre ngjarjeve, situata në veri të Kosovës po raportohet e qetë, ani pse, gjurmë të shumta kanë mbetur pas në këtë fshat. Ishte pikërisht Manastiri Ortodoks i Banjskës dhe objektet përreth tij, që u përdor si vendstrehim nga grupi terrorist, pasi vranë policin Bunjaku.

    Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre. Ato madje e kanë publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiq i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar dhe të veshur me uniforma, i cili po ashtu kërkohet nga autoritetet e Kosovës, për disa vepra penale.

    Gazetari i ATV-së Fatlum Jashari në një lidhje direkte për emisionin “A LIVE”, ka treguar detajet e planit të këtij sulmi./atvlive.tv/

    Raportimin e plotë të gazetarit Jashari e gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Qeveria ndanë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut

    Qeveria ndanë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh për mbështetje të familjes së rreshterit Afrim Bunjaku.

    Rreshteri Afrim Bunjaku, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001. Ai u vra mëngjesin e 24 shtatorit pas përplasjes me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

    Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.

    Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi fajësoi zyrtar serbët e Kosovës.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, për rreshterin Afrim Bunjaku ka urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

    Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. /atvlive.tv

  • Franca dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës: I papranueshëm, autorët të dalin para drejtësisë

    Franca dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës: I papranueshëm, autorët të dalin para drejtësisë

    Franca ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    Përmes një reagimi, Ministria e Jashtme e Francës ka bërë thirrje që autorët e këtij sulmi të dalin para drejtësisë.

    “Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një polic dhe dy të tjerë të plagosur. Franca shpreh ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe bën thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, është theksuar në reagim.

    Tutje, Parisi zyrtar ka deklaruar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja mënyrë “për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

    “Rëndësia e këtyre ngjarjeve nënvizon nevojën urgjente që Serbia dhe Kosova të veprojnë me përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe t’i lejojë ata të bëjnë përparim drejt BE-së”, është thënë në reagim.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Katër sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

    Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

  • Kurti: Policia në veri tregoi profesionalizëm, u parandalua një skenar kriminal dhe terrorist

    Kurti: Policia në veri tregoi profesionalizëm, u parandalua një skenar kriminal dhe terrorist

    Kryeministri Ablin Kurti, tha se rreshteri Afrim Bunajku, është hero i Kosovës, raporton Ekonomia Online. Sipas tij, të dielën Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm, duke parandaluar një skenar kriminal dhe terrorist.

    Kurti në akademinë komemorative kushtuar Bunjakut, tha se ligjshmëria, kushtetutshmëria, paqja dhe siguria do të jenë gjithmonë dhe çdo herë për gjithsecilin dhe pa dallime.

    “E diela 24 shtatorit na ka mbledhur sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovë për të nderuar jetën dhe veprën e rreshter Afrim Bunjaku”.

    “Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë për shkak të pikëllimit për Afrim Bunjakun. Por, e sotmja është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet edhe më të mëdha për Afrimin, për Policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme e parandaloi një skenar kriminal dhe terrorist”.

    “Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi nga një grup terroristësh. Nga dje asgjë nuk mund të jetë më njësoj, faktet dolën , për të parë të vërtetën e rajonit”.

    “Ky reagim i institucioneve tona profesionalisht ka qenë në përputhje me shtetin tonë demokratik dhe perëndimore. Sot përballë fotografisë së portretit të Afrim Bunajkut përkulemi me nderime dhe respekt si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujtesë. Ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri për të gjithë dhe secilin pa dallim”, tha Kurti.

  • Gazetari Mema fton që sonte të ndizen qirinj në Tiranë në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjakut

    Gazetari Mema fton që sonte të ndizen qirinj në Tiranë në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjakut

    Gazetari shqiptar Marin Mema përmes një njoftimi ka ftuar qytetarët atje për ndezje qirinjsh për nder të rreshterit të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, Afrim Bunjakut.

    Mema kërkoi nga qytetarët e Shqipërisë që të bëjnë homazhe te sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ta nderuar veprën e policit të ndjerë.

    “Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra!🇦🇱 Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm”, ka shkruar ai.

    “Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, përfundon postimi i tij.

    Kujtojmë se mbrëmë në Prishtinë u ndezën qirinj në nderim të rreshterit Bunjaku.

  • Ditë zie në Kosovë për nder të policit Afrim Bunjaku, flamujt ulen ne gjysmështizë

    Ditë zie në Kosovë për nder të policit Afrim Bunjaku, flamujt ulen ne gjysmështizë

    E hëna e 25 shtatorit është shpallur ditë zie shtetërore nga presidentja Osmani. Kjo është bërë për të nderuar policin e Kosovës që u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Presidencës.

    Dje në Zveçan, disa persona të armatosur kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur një polic, një të plagosur dhe dy të lënduar.

    Për këtë rast, në prangat e policisë kanë rënë gjashtë persona.

    Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

    Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë.

    Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

    Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

    Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri dhe njëri prej policëve u vra.

    Autoritetet thanë se sulmuesit – rreth 30 syresh – ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

    Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

    Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

    “I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha Sveçla, por nuk tha nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.

    Të vdekur kanë mbetur edhe tre nga sulmuesit e serb, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.