ATV

Category: Sport

  • Barcelona vë në shënjestër Muriqin pas largimit të Lewandowskit

    Barcelona vë në shënjestër Muriqin pas largimit të Lewandowskit

    Barcelona ka nisur përgatitjet për një ndryshim të rëndësishëm në repartin ofensiv, teksa klubi katalanas po kërkon zëvendësuesin e Robert Lewandowskit. Në listën e opsioneve të mundshme ka përfunduar edhe sulmuesi kosovar Vedat Muriqi.

    Futbollisti i Mallorcas po konsiderohet si një alternativë e papritur, por gjithnjë e më reale për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, sidomos pas sezonit të tij të fortë individual në La Liga.

    Muriqi zhvilloi një edicion mbresëlënës, duke shënuar 23 gola, edhe pse nuk arriti ta ndihmojë Mallorcan të mbijetojë në elitën e futbollit spanjoll. Pikërisht kjo formë ka tërhequr vëmendjen e Barcelonës, e cila kërkon një sulmues me eksperiencë, forcë fizike dhe efikasitet të menjëhershëm para portës.

    Drejtori sportiv Deco raportohet se e vlerëson shumë profilin e sulmuesit kosovar, i cili është i njohur me La Ligan, dominon në duelet ajrore dhe ofron një dimension fizik që aktualisht i mungon repartit ofensiv të katalanasve.

    Plani i Barcelonës nuk e sheh Muriqin si një projekt afatgjatë, por më shumë si një zgjidhje të shpejtë dhe funksionale për të mbushur boshllëkun e lënë nga Lewandowski.

    Rënia e Mallorcas në Segunda Division mund të ndikojë ndjeshëm në negociata, pasi klubi spanjoll pritet të përballet me presion financiar dhe mund të detyrohet të shqyrtojë shitjen e lojtarëve kryesorë.

    Barcelona, nga ana tjetër, raportohet se është e gatshme të ofrojë rreth 15 milionë euro për kartonin e Muriqit, një shifër e konsideruar e menaxhueshme për realitetin aktual financiar të klubit.

    Vetë sulmuesi kosovar, sipas raportimeve, mund ta shohë pozitivisht një transferim në “Camp Nou”, pasi do t’i ofronte mundësinë të garojë për trofe dhe të luajë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Përveç Barcelonës, për Muriqin interesim ka edhe nga MLS, por opsioni katalanas mbetet më tërheqës në aspektin sportiv.

    Në “Camp Nou” po shqyrtohet edhe mundësia e një kontrate dyvjeçare për sulmuesin, në një operacion që nuk do të kishte bujë të madhe mediatike, por që shihet si një lëvizje praktike dhe e zgjuar për të forcuar repartin ofensiv.

  • Ramadani dominon statistikën e Serie A, lë pas yjet e mëdhenj

    Ramadani dominon statistikën e Serie A, lë pas yjet e mëdhenj

    Ylber Ramadani po vazhdon të tërheqë vëmendje në Serie A me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme, duke konfirmuar sezonin më të mirë të karrierës së tij në futbollin italian.

    Mesfushori shqiptar i Lecces ka lënë pas disa prej emrave më të njohur të kampionatit elitar italian, duke u renditur në krye të statistikës për distancën e përshkuar gjatë sezonit 2025/26.

    Sipas të dhënave zyrtare, Ramadani ka përshkuar plot 421.58 kilometra, duke u bërë lojtari më “punëtor” i Serie A për këtë edicion. Pas tij renditen Bryan Cristante i Romës me 412.44 kilometra dhe Morten Frendrup i Genoas me 403.62 kilometra.

    Ky rekord është një tjetër dëshmi e rolit të madh që 28-vjeçari ka në skuadrën e Lecces. Me intensitetin, disiplinën dhe energjinë e tij të pandalshme në mesfushë, Ramadani është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të ekipit, duke kontribuar si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në ndërtimin e lojës.

    Në një kampionat ku luajnë yje të mëdhenj dhe futbollistë me vlera të larta në treg, fakti që një lojtar shqiptar kryeson një statistikë të tillë ka marrë jehonë të madhe edhe në mediat italiane.

    Ramadani po e konfirmon veten si një prej mesfushorëve më të rëndësishëm të Lecces, ndërsa për skuadrën e tij ai është kthyer në një “motor” të vërtetë që nuk ndalet gjatë gjithë 90 minutave.

  • Knicks rikthehen në finalen e NBA-së pas 27 vitesh, shkatërrojnë Cavaliers

    Knicks rikthehen në finalen e NBA-së pas 27 vitesh, shkatërrojnë Cavaliers

    New York Knicks kanë shkruar histori në NBA, duke siguruar rikthimin në finalen e madhe pas plot 27 vitesh mungesë. Skuadra nga “Madison Square Garden” dominoi Cleveland Cavaliers me rezultat bindës 130:93, duke vulosur serinë finale të Konferencës Lindore me rezultat të përgjithshëm 4-0.

    Për herë të parë që nga viti 1999, Knicks do të luftojnë për titullin kampion të NBA-së, ndërsa synojnë trofeun e tretë në historinë e klubit pas triumfeve të viteve 1970 dhe 1973.

    Ndeshja ishte plotësisht nën kontrollin e ekipit nga New Yorku. Knicks e mbyllën çerekun e parë me avantazh 38:26 dhe më pas shpërthyen në periudhën e dytë me një seri të jashtëzakonshme 20-0, duke krijuar diferencë të madhe që në pjesën e parë të takimit.

    Dominimi vazhdoi edhe pas pushimit, me Knicks që fituan çdo çerek dhe e çuan epërsinë deri në rezultatin përfundimtar 130:93, duke regjistruar fitoren e 11-të në “play-off”.

    Karl-Anthony Towns ishte një nga figurat kryesore të sfidës me 19 pikë dhe 14 kërcime, ndërsa OG Anunoby kontribuoi me 17 pikë. Një paraqitje të shkëlqyer nga stoli pati edhe Landry Shamet, i cili shtoi 16 pikë në triumfin spektakolar të skuadrës së New Yorkut.

    Tani Knicks presin kundërshtarin në finalen e NBA-së, i cili do të dalë nga seria mes Oklahoma City Thunder dhe San Antonio Spurs. Dueli i Konferencës Perëndimore aktualisht është i barabartë 2-2 dhe pritet të ofrojë një fund dramatik.

  • Messi drejt rikuperimit, pritet të jetë gati për Kupën e Botës 2026

    Messi drejt rikuperimit, pritet të jetë gati për Kupën e Botës 2026

    Inter Miami ka qetësuar tifozët dhe gjithë opinionin sportiv lidhur me gjendjen e Lionel Messit, pasi ylli argjentinas pësoi një shqetësim fizik në sfidën spektakolare ndaj Philadelphia Union.

    Messi ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren dramatike 6-4 të skuadrës amerikane, duke kontribuar me dy asistime, por shqetësimi për një dëmtim ngriti menjëherë dyshime mbi gatishmërinë e tij për ndeshjet e ardhshme me Argjentinën.

    Megjithatë, lajmet që vijnë nga SHBA janë pozitive. Sipas raportimeve të fundit, problemi fizik i 38-vjeçarit nuk konsiderohet serioz dhe ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm për angazhimet me kombëtaren argjentinase në Kupën e Botës 2026.

    Përmes një deklarate zyrtare, Inter Miami dha detaje mbi gjendjen e kampionit të botës.

    “Pas ekzaminimeve shtesë mjekësore të kryera të hënën, diagnoza fillestare ka konfirmuar një mbingarkesë të shkaktuar nga lodhja muskulore në kofshën e majtë”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Klubi amerikan shtoi se rikthimi i Messit në stërvitje dhe ndeshje do të varet nga progresi i tij fizik gjatë ditëve në vazhdim.

    Argjentina, kampione në fuqi e botës, do ta nisë rrugëtimin në Kupën e Botës 2026 më 17 qershor ndaj Algjerisë, ndërsa gjithçka tregon se Messi do të jetë i gatshëm për të udhëhequr edhe një herë “Albicelestët”.

  • Harry Kane shkëlqen me “hat-trick”, por flet me dilema për të ardhmen te Bayerni

    Harry Kane shkëlqen me “hat-trick”, por flet me dilema për të ardhmen te Bayerni

    Harry Kane shkëlqeu në finalen e DFB-Pokal, duke udhëhequr Bayern Munich drejt një triumfi të pastër 3-0 ndaj Stuttgartit me një paraqitje magjike dhe tre gola të realizuar. Sulmuesi anglez ishte figura kryesore e finales, ndërsa bavarezët kompletuam dopietën vendore pas suksesit të arritur edhe në Bundesliga.

    Pas festës së trofeut, vëmendja u zhvendos te e ardhmja e kapitenit të Anglisë në “Allianz Arena”. Kontrata aktuale e Kane me Bayernin është e vlefshme deri në vitin 2027, por klubi gjerman tashmë dëshiron ta zgjasë bashkëpunimin me bomberin anglez.

    Megjithatë, vetë Kane la të kuptohet se vendimi për kontratën e re nuk do të merret me nxitim.

    “Në këtë moment të karrierës dua të shfrytëzoj maksimalisht çdo kontratë që firmos. Ka shumë mundësi që kjo të jetë një nga marrëveshjet e fundit të mëdha në karrierën time”, deklaroi 32-vjeçari.

    Sulmuesi anglez shtoi se aktualisht fokusi i tij mbetet te futbolli dhe objektivat sportive, duke lënë negociatat për më vonë.

    “Nuk është koha e duhur për të diskutuar tani. Jemi shumë të qetë me situatën dhe kemi rënë dakord që fillimisht të mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, e më pas të mendojmë për të ardhmen”, tha Kane.

    Pavarësisht spekulimeve, raportet mes palëve mbeten shumë pozitive dhe gjithçka sugjeron se aventura e Kane te Bayern Munich është larg fundit.

    “Të dyja palët janë të kënaqura me bashkëpunimin dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, përfundoi ylli anglez.

  • Milot Rashica drejt largimit nga Besiktasi, klube nga Italia dhe Franca në garë

    Milot Rashica drejt largimit nga Besiktasi, klube nga Italia dhe Franca në garë

    E ardhmja e Milot Rashicës te Besiktasi duket gjithnjë e më e pasigurt, me sulmuesin kosovar që pritet të largohet nga gjiganti turk gjatë afatit kalimtar të verës.

    29-vjeçari nga Vushtrria ka ende edhe një vit kontratë me klubin nga Stambolli, por sezoni i fundit nuk ka qenë ndër më të mirët për të, pasi nuk arriti të sigurojë vazhdimisht vendin e titullarit në formacionin bardhezi.

    Megjithatë, interesimi për reprezentuesin e Kosovës mbetet i madh. Sipas mediave turke, disa klube nga Serie A dhe Ligue 1 po monitorojnë situatën e Rashicës dhe janë të gatshme të bëjnë lëvizje konkrete në muajt e ardhshëm.

    Gazeta turke “Takvim” raporton se emri i Rashicës vazhdon të ketë vlerë të lartë në tregun evropian, ndërsa largimi i tij nga Besiktasi mund të varet edhe nga planet e trajnerit të ri të skuadrës për sezonin e ardhshëm.

    Pavarësisht minutazhit jo të qëndrueshëm, Rashica kontribuoi me paraqitje solide këtë edicion. Ai zhvilloi 33 ndeshje me fanellën e Besiktasit, duke realizuar dy gola dhe gjashtë asistime.

    Nëse transferimi realizohet, Rashica mund të rikthehet sërish në një nga pesë kampionatet më të forta të Evropës, aty ku më parë ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij në Bundesliga dhe Premier League.

  • Revolucion te Milani: Allegri, Tare dhe drejtuesit largohen, klubi rrezikon humbje milionëshe

    Revolucion te Milani: Allegri, Tare dhe drejtuesit largohen, klubi rrezikon humbje milionëshe

    Milani ka hyrë në një fazë të re revolucioni, duke marrë vendimin drastik për të shkarkuar trajnerin Massimiliano Allegri, si dhe drejtuesit kryesorë Giorgio Furlani, Igli Tare dhe Geoffrey Moncada. Një lëvizje e bujshme që, sipas mediave italiane, mund t’i kushtojë klubit deri në 22 milionë euro.

    Pas një sezoni zhgënjyes në Serie A, ku “Rossonerët” e mbyllën kampionatin vetëm në vendin e pestë dhe mbetën jashtë Ligës së Kampionëve, drejtuesit e klubit kanë vendosur të nisin gjithçka nga e para në verën e vitit 2026.

    Sipas “La Gazzetta dello Sport”, shkarkimet do të kenë ndikim të madh financiar në bilancin e klubit. Gazeta italiane raporton se këto shpenzime do të regjistrohen si kosto të jashtëzakonshme në pasqyrat financiare që mbyllen më 30 qershor 2026.

    Pesha më e madhe financiare lidhet me largimin e drejtorit ekzekutiv Giorgio Furlani dhe trajnerit Massimiliano Allegri.

    Furlani kishte kontratë deri në vitin 2028 dhe përfitonte rreth 3 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset. Kjo e çon koston totale të largimit të tij në afro 10 milionë euro bruto.

    Nga ana tjetër, Allegri është ende nën kontratë deri në qershor të vitit 2027, me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ose rreth 9 milionë euro bruto në total.

    Edhe Igli Tare do t’i kushtojë klubit një shumë të konsiderueshme. Ish-drejtori sportiv kishte marrëveshje deri në vitin 2028 dhe paga e tij prej 800 mijë eurosh në vit e çon vlerën e mbetur të kontratës në rreth 3 milionë euro bruto.

    Ndërkohë, Geoffrey Moncada ndodhet në një situatë tjetër. Francezi kishte arritur marrëveshje për rinovim me Milanin, por kontrata e re ende nuk ishte firmosur, çka do të thotë se klubi ka vetëm një muaj detyrime financiare ndaj tij.

    Megjithatë, raporti thekson se këto kosto mund të reduktohen në të ardhmen nëse Allegri, Tare apo Furlani arrijnë marrëveshje të reja me klube ose kompani të tjera.

    Sa i përket Allegrit, emri i tij tashmë përmendet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Napolit, në rast se Antonio Conte largohet nga kampionët e Italisë.

  • Spanja publikon listën me 26 lojtarë për Kupën e Botës në një prezantim unik

    Spanja publikon listën me 26 lojtarë për Kupën e Botës në një prezantim unik

    Kombëtarja e Spanjës ka zbuluar listën prej 26 futbollistësh për botërorin 2026, në një event të veçantë të mbajtur në Movistar Space në Gran Vía të Madridit.

    Në mënyrë jo të zakonshme, njoftimi i listës nuk u bë direkt nga trajneri Luis de la Fuente, por u zbulua fillimisht nga Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës, ndërsa më pas lista u lexua publikisht nga Mbreti Filipi VI, me prezantimin e lojtarëve nga qytetarë të ndryshëm.

    Eventi u organizua nga Jesús Navas, kampion bote me Spanjën në vitin 2010, duke i dhënë një karakter simbolik prezantimit të skuadrës.

    Procesi i përzgjedhjes së skuadrës ka zgjatur që nga marsi i vitit 2023, periudhë gjatë së cilës janë testuar 77 lojtarë. Në këtë periudhë, Spanja ka fituar Kampionatin Evropian dhe UEFA Nations League, si dhe ka arritur finalen në edicionin e kaluar të turneut.

    Në listën finale nuk ka shumë surpriza në emrat kryesorë, me lojtarë si Mikel Merino, Nico Williams dhe Lamine Yamal që mbeten pjesë e rëndësishme e skuadrës.

    Në portë është përzgjedhur Joan García, duke fituar garën ndaj Álex Remiro. Në mbrojtje bien në sy emrat e Aymeric Laporte, Pau Cubarsí dhe Eric García.

    Në mesfushë bëjnë pjesë Rodri, Pedri dhe Fabián Ruiz, ndërsa në sulm spikasin Ferran Torres dhe Borja Iglesias.

    Një nga vendimet e fundit të stafit teknik ishte përfshirja e Yeremy Pino, i cili zëvendëson të dëmtuarin Fermín, duke shtuar fleksibilitet në repartin ofensiv të skuadrës spanjolle.

  • Albion Rrahmani në formacionin e javës në Çeki pas golit me Sparta Pragën

    Albion Rrahmani në formacionin e javës në Çeki pas golit me Sparta Pragën

    Albion Rrahmani ka vazhduar me paraqitje mbresëlënëse në Czech First League, duke shkëlqyer me fanellën e AC Sparta Prague.

    Sulmuesi dardan realizoi gol në fitoren 2:1 të Sparta Pragës ndaj FC Hradec Králové, duke qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë.

    Falë golit dhe paraqitjes së tij shumë të mirë, Rrahmani është përfshirë në formacionin e javës nga SofaScore.

    25-vjeçari e mbyll kështu sezonin me statistika shumë pozitive, duke regjistruar 16 gola dhe 4 asistime në 49 paraqitje zyrtare me Sparta Pragën.

  • Kosova publikon listën për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës

    Kosova publikon listën për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës

    Kombëtarja e Kosovës ka bërë publike listën për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar gjithsej 25 futbollistë për këto dy ndeshje,ku përfshihen emra të rinj në grumbullim si dhe ata që janë rikthyer pas një kohe.

    Ndër emrat që janë rikthyer tek “Dardanët”janë lojtarët si Leon Avdullahu i cili nuk ishte në grumbullimin për dy finalet e play-off-it të Kupës së Botës shkaku i lëndimit,teksa pas një kohe të gjatë janë rikthyer edhe Muharrem Jashari,Bersant Celina,Andi Hoti dhe Ron Raçi.

    Foda ndërkohë nga emrat ka ftuar këta futbollistë si: Valmir Matoshi, Dardan Shabanhaxhaj dhe Rilind Nivokazi,të cilët janë grumbulluar për herë të parë tek Kombëtarja e Kosovës,kurse nuk janë ftuar lojtarët kryesorë si Vedat Muriqi,Amir Rrahmani,Valon Berisha,Florent Hadergjonaj dhe Milot Rashica.

    Nga këto miqësore “Dardanët”synojnë që të nxjerrin rezultate pozitive,në mënyrë që të jenë gati për aventurën në Ligën e Kombeve që do të nis në shtator ku Kosova është në grup me Austrinë,Irlandën dhe Izraelin.

    Kujtojmë që Kosova së pari e zhvillon miqësoren kundër Çekisë në Pragë më 31 maj,e më pas ndaj Andorrës më 7 qershor kundër Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri”në Prishtinë.

    May be an image of soccer, football and text that says 'FFK INTERNATIONAL FRIENDLIES KOSOVA S Q A D PORTIERE ARJANET MURIC AMIRSAIPI AMIR SAIPI VISAR BEKAJ MBROJTES MERGIM VOJVODA LUMBARDH DELLOVA ILIR KRASNIQI RON RAÇI ALBIAN ALBIANHAJDARI HAJDARI ANDI HOTI DION GALLAPENI MESFUSHORE/SULM SULMUES ERMAL KRASNIQI BATON ZABERGJA DARDAN SHABANHAXHAJ VESEL DEMAKU VELDIN HOXHA ELVIS REXHBEÇAJ LINDON EMERLLAHU LEON AVDULLAHU EDON ZHEGROVA MUHARREM JASHARI VALMIR MATOSHI BERSANT CELINA ALBION RRAHMANI RILIND NIVOKAZI FISNIK ASLLANI PERZGJEDHES FRANCO FODA TEB ENTURE ANP PARERAS FFK KOSOVA. FFK-KDSOVA.COM COM'