ATV

Category: Sport

  • Albion Rrahmani drejt një hapi të madh në karrierë, klubi italian vihet pas sulmuesit Kosovar

    Albion Rrahmani drejt një hapi të madh në karrierë, klubi italian vihet pas sulmuesit Kosovar

    Vera e këtij viti mund të sjellë një kthesë të rëndësishme në karrierën e Albion Rrahmanit. Sulmuesi i Kosovës po vazhdon të tërheqë vëmendjen në tregun evropian të transferimeve, ndërsa interesimi për të po rritet nga dita në ditë.

    Pas dy sezoneve të kaluara me Spartën e Pragës, ku regjistroi 26 gola në 83 paraqitje në të gjitha garat, 25-vjeçari është shndërruar në një nga emrat më të kërkuar të futbollistëve kosovarë jashtë vendit.

    Sipas raportimeve nga mediat çeke, Venezia është klubi i fundit që ka hyrë seriozisht në garë për shërbimet e tij. Skuadra italiane, e rikthyer së fundmi në elitën e futbollit italian, po kërkon të forcojë repartin ofensiv dhe e konsideron Rrahmanin si një nga objektivat kryesorë për sezonin e ri.

    Ndërkohë, Sparta e Pragës nuk pritet të heqë dorë lehtë nga sulmuesi kosovar. Klubi çek raportohet se ka vendosur një çmim prej 8 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa vlera e lojtarit në treg sipas Transfermarkt vlerësohet rreth 7 milionë euro.

    Megjithatë, Venezia nuk është e vetmja skuadër që po monitoron situatën. Emri i Rrahmanit vazhdon të lidhet me disa klube të njohura evropiane, gjë që e bën këtë afat kalimtar një nga më vendimtarët në karrierën e tij.

    Një transferim i mundshëm do të ishte lajm i mirë edhe për Rapidin, ish-klubin e sulmuesit, i cili e transferoi atë te Sparta në vitin 2024 për 5 milionë euro, duke ruajtur një përqindje prej 15 për qind nga shitja e ardhshme.

    Kujtojmë se gjatë afatit kalimtar të janarit, Rrahmani ishte shumë pranë një kalimi te Lyoni, por marrëveshja në fund nuk u finalizua. Tani, me interesimin që po vjen nga Serie A dhe klube të tjera evropiane, e ardhmja e tij duket se do të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së verës.

  • Zyrtare: Arian Azemi transferohet te Bashkimi

    Zyrtare: Arian Azemi transferohet te Bashkimi

    KB Bashkimi ka vazhduar me përforcimet për sezonin e ri, duke siguruar shërbimet e basketbollistit Arian Azemi, i cili zyrtarisht do të jetë pjesë e skuadrës prizrenase për dy vitet e ardhshme.

    Klubi portokallezi ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me Azemin, i cili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2027, duke u bërë një nga pjesët e rëndësishme të projektit të Bashkimit për edicionet e ardhshme.

    Lajmi u bë publik përmes kanaleve zyrtare të klubit në rrjetet sociale, ku Bashkimi i uroi mirëseardhje lojtarit më të ri të skuadrës.

    “Mirë se vjen, Arian Azemi! Ariani është zyrtarisht pjesë e KB Bashkimit me kontratë 2-vjeçare”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Me afrimin e Azemit, Bashkimi vazhdon ndërtimin e ekipit për sezonin e ri, me synimin për të qenë sërish në garë për trofetë dhe për të luajtur një rol protagonist në basketbollin kosovar.

    Drejtuesit e klubit po punojnë intensivisht për kompletimin e skuadrës, ndërsa tifozët presin që përforcimet e reja t’i japin ekipit cilësi shtesë në objektivat e sezonit që po afron.

  • Një emër që jeton përtej kohës, tetë vjet pa Fadil Vokrrin

    Një emër që jeton përtej kohës, tetë vjet pa Fadil Vokrrin

    Sot mbushen tetë vjet nga ndarja nga jeta e Fadil Vokrrit, figurës më emblematike të futbollit kosovar dhe njërit prej personaliteteve më të rëndësishme në historinë e sportit të vendit.

    Vokrri mbetet simbol i suksesit, vizionit dhe përkushtimit, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë breza të tërë sportistësh. Ai nuk u dallua vetëm si futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova, por edhe si arkitekti i një prej arritjeve më të mëdha të sportit kosovar – anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

    Përmes punës dhe angazhimit të tij të pandalshëm, futbolli kosovar fitoi vendin që meritonte në arenën ndërkombëtare, duke hapur rrugën për prezantimin e shtetit në skenën më të lartë të futbollit botëror.

    Në përvjetorin e tetë të vdekjes së tij, Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti Agim Ademi kanë kujtuar me respekt dhe mirënjohje figurën e Vokrrit, duke vlerësuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në zhvillimin e futbollit në vend.

    Në mesazhin përkujtimor, theksohet se Fadil Vokrri ishte më shumë se një futbollist apo drejtues sportiv. Ai ishte njeriu që besoi te ëndrra e Kosovës në kohët kur ajo dukej e largët dhe që punoi me vendosmëri për ta kthyer atë në realitet.

    Karriera e tij brilante në fushë dhe kontributi i jashtëzakonshëm jashtë saj e kanë shndërruar atë në një figurë të pavdekshme të sportit kosovar. Fanella me numrin 9, të cilën e mbajti me krenari gjatë viteve të tij më të suksesshme, është bërë pjesë e identitetit të tij, ndërsa data 9 qershor mbetet një ditë kujtimi për njeriun që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

    Edhe pas tetë vitesh, emri i Fadil Vokrrit vazhdon të përmendet me respekt të veçantë. Ai mbetet frymëzim për brezat e rinj, simbol i krenarisë kombëtare dhe një nga shtyllat më të rëndësishme mbi të cilat është ndërtuar futbolli i Kosovës.

    Legjendat nuk harrohen kurrë, dhe Fadil Vokrri mbetet një prej tyre.

  • 32 pikë dhe një bllokim vendimtar, Wembanyama mban gjallë ëndrrën e Spurs

    32 pikë dhe një bllokim vendimtar, Wembanyama mban gjallë ëndrrën e Spurs

    Victor Wembanyama dha një përgjigje të fuqishme pas zhgënjimit në ndeshjen e kaluar, duke udhëhequr San Antonio Spurs drejt një fitoreje të rëndësishme 115-111 ndaj New York Knicks në përballjen e tretë të finales së NBA-së.

    Ylli francez e nisi sfidën në mënyrë spektakolare, duke realizuar nëntë pikë brenda pesë minutave të para dhe duke vendosur ritmin e lojës për skuadrën e tij. Në fund të mbrëmjes, ai regjistroi 32 pikë, tetë ribaunde, gjashtë asistime dhe tre bllokime, duke qenë figura kryesore e Spurs në momentet vendimtare të takimit.

    San Antonio krijoi epërsi të hershme, por si në ndeshjet e mëparshme, lejoi kundërshtarin të rikthehej në lojë. Megjithatë, në çerekun e tretë, mysafirët rifituan kontrollin. Pasi rezultati u barazua në 76-76, Wembanyama ndezi ndeshjen me një treshe spektakolare nga distancë e largët, duke rikthyer avantazhin për Spurs.

    Në periudhën e fundit, francezi tregoi qetësi të jashtëzakonshme nga vija e gjuajtjeve të lira, duke realizuar pikë të rëndësishme që ndihmuan ekipin të ruante epërsinë deri në fund.

    Kur Knicks tentuan të përmbysnin gjithçka në minutat e fundit, Wembanyama u shfaq sërish vendimtar në mbrojtje. Ai bllokoi një depërtim të rrezikshëm të Landry Shamet, duke ndalur një nga sulmet më të rëndësishme të vendasve dhe duke vulosur fitoren e ekipit të tij.

    Me këtë triumf, Spurs shmangën disavantazhin e frikshëm 0-3 në seri, një situatë nga e cila asnjë skuadër në historinë e finaleve të NBA-së nuk ka arritur të rikthehet për të fituar titullin.

    Tashmë vëmendja zhvendoset te ndeshja e katërt, e cila do të zhvillohet të mërkurën mbrëma. San Antonio do të synojë një tjetër fitore për të barazuar serinë në 2-2 dhe për ta mbajtur plotësisht të hapur garën për kampion.

  • Me ftesë të Infantinos, Ademi do të ndjekë nga afër Botërorin 2026

    Me ftesë të Infantinos, Ademi do të ndjekë nga afër Botërorin 2026

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka udhëtuar drejt Mexico City, një destinacion me simbolikë të veçantë për futbollin kosovar, pasi pikërisht aty, dhjetë vjet më parë, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në FIFA gjatë Kongresit të organizatës më të madhe të futbollit botëror.

    Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, kreu i FFK-së do të jetë pjesë e ceremonisë dhe ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026, ku do të përballen Meksika dhe Afrika e Jugut. Në këtë ngjarje madhore do të marrin pjesë drejtuesit e federatave kombëtare nga e gjithë bota.

    Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ademi do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s që organizohet në Miami, ku pritet të diskutohen tema të rëndësishme për zhvillimin e futbollit global. Po ashtu, ai do të ndjekë nga afër disa prej ndeshjeve të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror.

    Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, presidenti i FFK-së do të kthehet në Kosovë, ndërsa me një ftesë të veçantë nga presidenti Infantino, do të rikthehet sërish për të qenë i pranishëm në ndeshjet gjysmëfinale dhe në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.

  • Ishte gati të bëhej gjyqtari i parë somalez në historinë e Kupës së Botës, por iu ndalua hyrja në SHBA

    Ishte gati të bëhej gjyqtari i parë somalez në historinë e Kupës së Botës, por iu ndalua hyrja në SHBA

    Gjyqtari somalez i futbollit, Omar Artan, nuk do të jetë në Kupën e Botës 2026 pasi iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara, konfirmoi FIFA të hënën. Artan ishte gati të bëhej gjyqtari i parë somalez që do të gjykonte në një Kupë Bote, duke bërë histori për vendin e tij.

    Artanit iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, ku ai zbarkoi nga Stambolli. Pas një kontrolli rutinë, pasagjeri u dërgua për kontroll shtesë, pas të cilit iu mohua hyrja. Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP) konfirmoi për The Athletic se Artanit iu mohua hyrja, por nuk dha arsye specifike.

    “Një shtetas somalez mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit nga Stambolli. Gjatë përpunimit, udhëtari iu nënshtrua një kontrolli shtesë, i cili është një pjesë rutinë e procesit të inspektimit të CBP-së. Të gjithë udhëtarët, përfshirë atletët, i nënshtrohen këtij procesi”, tha një zëdhënës i CBP-së.

    FIFA duhet të gjejë një zëvendësim

    Incidenti është një goditje për gjyqtarin, i cili është një emër i respektuar në kontinentin afrikan, ku u shpall gjyqtari më i mirë nga Konfederata e Futbollit Afrikan vitin e kaluar.

    FIFA tani do të duhet të gjejë një zëvendësim për 34-vjeçarin Artan, një nga 52 gjyqtarët e zgjedhur për turneun pas një procesi përzgjedhjeje që zgjati më shumë se tre vjet.

    Të hënën, një zëdhënës i FIFA-s konfirmoi se Artani nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë në vendin pritës ose të jetë gjyqtar në Kupën e Botës.

    “FIFA nuk është e përfshirë në proceset e imigracionit të vendit pritës, përfshirë vendimet për vizat, dhe autoritetet na kanë informuar se statusi i z. Artan nuk do të ndryshojë”, thanë ata.

    Kujtojmë se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, së fundmi, në kontekstin e proceseve të migracionit dhe ndalimeve të ish-Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që përfshinin edhe Somalinë, deklaroi se “duhet të sqarohet se si të gjithë janë të mirëpritur në SHBA, Meksikë dhe Kanada”.

  • Mancini drejt rikthimit te Italia, gati kontrata deri në vitin 2030

    Mancini drejt rikthimit te Italia, gati kontrata deri në vitin 2030

    Kombëtarja e Italisë po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj moderne, pasi rrezikon të mbetet jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi. Megjithatë, Federata Italiane duket se ka gjetur shpejt zgjidhjen për stolin e “Azzurrëve”.

    Sipas raportimeve të gazetarëve të njohur italianë, Gianluca Di Marzio dhe Nicolo Schira, Roberto Mancini është shumë pranë rikthimit në krye të përfaqësueses italiane. Burimet bëjnë të ditur se marrëveshja është në fazën përfundimtare dhe se mungojnë vetëm detajet formale për zyrtarizimin.

    Nicolo Schira ka zbuluar se Mancini pritet të nënshkruajë një kontratë afatgjatë deri në vitin 2030, nga e cila do të përfitojë rreth dy milionë euro në sezon. Objektivi kryesor i federatës është që trajneri 60-vjeçar të udhëheqë Italinë drejt rikthimit në elitën botërore dhe të jetë në krye të ekipit deri në përfundim të Kupës së Botës 2030.

    Megjithatë, kontrata do të përfshijë edhe një klauzolë që i jep federatës të drejtën për të ndërprerë bashkëpunimin në rast se Italia dështon sërish të sigurojë kualifikimin në turneun më të madh të futbollit.

    Në periudhën e tranzicionit, kombëtarja italiane u drejtua përkohësisht nga Silvio Baldini, i cili u promovua nga ekipi U-21. Nën drejtimin e tij, Italia regjistroi dy fitore minimale 1-0 në ndeshjet miqësore ndaj Luksemburgut dhe Greqisë.

    Mancini mbetet një nga figurat më të suksesshme të futbollit italian në vitet e fundit, pasi udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Kampionatin Evropian të vitit 2021. Pas largimit nga “Azzurrët”, ai drejtoi Kombëtaren e Arabisë Saudite dhe më pas klubin Al-Sadd në Katar.

    Tashmë, rikthimi i tij shihet si përpjekja më serioze për ta rikthyer Italinë në majat e futbollit botëror dhe për t’i dhënë fund krizës së rezultateve që ka tronditur katër herë kampionët e botës.

  • Gjermania humbet talentin Lennart Karl para Kupës së Botës 2026

    Gjermania humbet talentin Lennart Karl para Kupës së Botës 2026

    Kombëtarja gjermane do të duhet të ecë pa një nga talentet e saj më të mëdha, Lennart Karl, i cili nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 për shkak të një dëmtimi në muskulin e kofshës. 18-vjeçari i Bayernit u lëndua gjatë seancës stërvitore para një ndeshjeje miqësore kundër Shteteve të Bashkuara.

    Karl kishte spikatur në fitoren 4-0 ndaj Finlandës, ku e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe regjistroi një asistim. Në vend të tij, trajneri Julian Nagelsmann ka thirrur mesfushorin e RB Leipzig, Assan Ouedraogo.

    “Është një tronditje për Lennartin dhe për ekipin, por ai është shumë i ri dhe ka shumë mundësi në të ardhmen,” tha Nagelsmann. Për Ouedraogon, trajneri shtoi: “Ai është jashtëzakonisht i talentuar dhe presim shumë nga performanca e tij.”

    Gjermania do të hapë garën në Grupin E më 14 qershor kundër Curacaos, më pas do të përballet me Bregun e Fildishtë më 20 qershor dhe Ekuadorin më 25 qershor.

  • Lumbardh Dellova mund të transferohet te Dinamo Kiev

    Lumbardh Dellova mund të transferohet te Dinamo Kiev

    Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, mund të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi emri i tij po lidhet me një transferim të mundshëm te Dinamo Kiev, një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme në Ukrainë. Sipas raportimeve të mediumit bullgar “Gol.bg”, drejtuesit e klubit ukrainas janë të gatshëm të investojnë rreth 950 mijë euro për shërbimet e qendërmbrojtësit kosovar.

    Dinamo Kiev po kërkon të forcojë repartin defensiv para nisjes së sezonit të ri, dhe Dellova konsiderohet si një profil që mund të sjellë stabilitet dhe cilësi në mbrojtje. Paraqitjet e tij të fundit me CSKA Sofian kanë tërhequr vëmendjen e skautëve të klubit ukrainas, duke e bërë atë një objektiv tërheqës për skuadrën e Dinamos.

    Dellova u transferua te CSKA Sofian në vitin 2024 nga Ballkani për një shumë rreth 350 mijë euro, dhe aktualisht ka kontratë me klubin bullgar deri në verën e vitit 2027, gjë që i jep CSKA-së një pozicion të favorshëm në negociata në rast se Dinamo Kiev vendos të bëjë një ofertë zyrtare.

    Mbrojtësi kosovar kohët e fundit u largua nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një lëndimi, por kjo nuk ka zbehur interesin e klubeve që po monitorojnë situatën e tij. Një transferim te Dinamo Kiev do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierën e 27-vjeçarit dhe një mundësi për të luajtur në një nga kampionatet më konkurruese të Europës Lindore.

  • Mike Maignan mund të largohet nga Milani-Chelsea rikthen interesimin

    Mike Maignan mund të largohet nga Milani-Chelsea rikthen interesimin

    E ardhmja e Mike Maignan te Milani mund të vihet në pikëpyetje, pavarësisht se portieri francez nënshkroi një kontratë të re deri në vitin 2031 në fillim të këtij viti.

    Sipas raportimeve nga Italia, Maignan nuk është plotësisht i kënaqur me drejtimin aktual të klubit pas largimit të figurave të rëndësishme si Massimiliano Allegri dhe Claudio Filippi. Prania e tyre kishte luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e francezit për të refuzuar një transferim te Chelsea në të kaluarën.

    Përfaqësuesit e portierit po presin sqarime nga drejtuesit e Milanit lidhur me projektin dhe planet për të ardhmen. Nëse Chelsea rikthen interesimin e tij, thuhet se kampi i Maignan do të ishte i hapur për të shqyrtuar një kalim në Stamford Bridge.

    Nga ana tjetër, raportet sugjerojnë se emërimi i një drejtori sportiv me reputacion dhe i një trajneri të nivelit të lartë mund ta bindin portierin francez të vazhdojë karrierën në San Siro.

    Chelsea vazhdon të kërkojë një zgjidhje afatgjatë për portën, ndërsa Maignan mbetet një nga emrat më të vlerësuar në treg falë përvojës së tij dhe aftësisë për të shkëlqyer në ndeshje me presion të lartë, pavarësisht shqetësimeve të fundit për lëndimet dhe formën e paqëndrueshme.