ATV

Category: Sport

  • Kosova përballet me Bullgarinë në Sofje, Dardanet synojnë fitore për ta mbajtur pozitën e parë

    Kosova përballet me Bullgarinë në Sofje, Dardanet synojnë fitore për ta mbajtur pozitën e parë

    Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave do të zhvillojë sot ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit C2 të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, ku përballë do të ketë Bullgarinë.

    Takimi do të luhet në Sofje, me fillim nga ora 16:00 (sipas kohës në Kosovë).

    Dardanet hyjnë në këtë sfidë me një bilanc shumë pozitiv në përballjet e deritanishme ndaj bullgareve, me pesë fitore dhe një barazim në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Kjo statistikë përbën një motiv shtesë për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, që synon të vazhdojë serinë e rezultateve të mira.

    Forma aktuale e Kombëtares është mjaft inkurajuese. Fillimisht, më 3 mars, Kosova shënoi fitore bindëse ndaj Gjibraltarit (6:0), ndërsa vetëm katër ditë më vonë arriti një sukses të rëndësishëm në udhëtim ndaj Kroacisë (1:0), duke rritur ndjeshëm vetëbesimin brenda skuadrës.

    Një tjetër rezultat pozitiv ndaj Bullgarisë do ta afronte edhe më shumë Kosovën drejt objektivit për të përfunduar në vendin e parë në grup.

  • Lorik Cana e mori titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

    Lorik Cana e mori titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

    Mbrëmë në Tiranë u zhvillua Samiti i Diasporës.

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dha titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”, ish kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana.

    Në fjalën e tij, Cana u shfaq i emocionuar, teksa u shpreh se gjatë jetës së tij ka bërë gjithçka për të bërë krenarë shqiptarët anembanë botës, shkruan Balkanweb.

    “Kur jemi përballë një paneli dhe kemi të mbledhur njerëzit tanë, që kanë spikatur dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ne. Kemi luajtur me stadiume plot me qindra milionë njerëz që na kanë parë. Unë sot nuk e pranoj vetëm në emrin tim, por në emrin e familjes sime. Babit, Agimit, gjyshërve të mi, Ganiut, xhaxhait tim, deri tek i gjithë. Ky brumë na ka shfrytëzuar.”

    “Ne kosovarët jemi detyruar të emigrojmë. Në këtë Samit të Diasporës, rikthehem si një shqiptar i Kosovës. Kemi emigruar dhe jemi munduar të bëjmë mirë, jo vetëm për familjarët tanë, por jemi munduar të ngremë sa më shumë nderin dhe emrin e shqiptarëve.”

    “Kjo besoj se ka qenë krenaria më e madhe që unë kam përjetuar dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet si futbolli, aty kupton se përgjegjësia është e madhe. Unë kam 10 vite që jam në pension. Kur ia them këtë njerëzve, ata qeshin. Është një jetë e tërë, ku dashuria dhe kontributi për atdheun nuk mungon asnjëherë. Jemi munduar ta ngrejmë komunitetin tonë”, u shpreh Cana.

  • Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në hendboll përcaktohen – Duele të forta në të dyja kategoritë

    Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në hendboll përcaktohen – Duele të forta në të dyja kategoritë

    Është hedhur shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në hendboll, si në kategorinë e femrave ashtu edhe në atë të meshkujve, duke përcaktuar çiftet që do të luftojnë për një vend në finalen e madhe të këtij kompeticioni.

    Te femrat, Istogu do të përballet me Shqiponjën, ndërsa Ferizaj është shortuar kundër Samadrexhës. Këto dy ndeshje pritet të sjellin shumë rivalitet dhe emocione në fushë.

    Në kategorinë e meshkujve, Rahoveci do të luajë ndaj Kastriotit, ndërsa Besa Famgas do të ketë përballë Prishtinën, duke kompletuar gjysmëfinalet e një prej garave më të rëndësishme vendore në hendboll.

    Finalet e Kupës së Kosovës do të zhvillohen më 25 dhe 26 prill.

  • Kylian Mbappé rikthehet në stërvitje para sfidës vendimtare ndaj Bayern Munich

    Kylian Mbappé rikthehet në stërvitje para sfidës vendimtare ndaj Bayern Munich

    Kylian Mbappé është rikthyer në stërvitje me Real Madridin vetëm dy ditë para përballjes vendimtare ndaj Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

    Sulmuesi francez u stërvit normalisht me pjesën tjetër të skuadrës, duke larguar dyshimet për gjendjen e tij fizike pas incidentit në ndeshjen ndaj Gironës, ku pësoi një prerje në kokë pas një dueli ajror.

    Pjesëmarrja e tij në seancën e së hënës tregon se problemi është nën kontroll, ndërsa stafi mjekësor po vazhdon ta menaxhojë me kujdes, por pa kufizime serioze. Edhe pse kishte shqetësime se Mbappé mund të mungonte në këtë sfidë vendimtare, tashmë pritet që ai të jetë i gatshëm për lojë dhe potencialisht edhe në formacionin startues të trajnerit Álvaro Arbeloa.

    Kujtojmë se Real Madridi e humbi ndeshjen e parë ndaj Bayern Munich me rezultatin 1–2, ndaj tani i duhet një përmbysje e madhe për të siguruar kualifikimin, sidomos duke marrë parasysh se ndeshja e kthimit do të zhvillohet në “Allianz Arena”.

    Përballja e zjarrtë mes dy gjigantëve evropianë do të zhvillohet të mërkurën në orën 21:00.

  • Javi Martínez paralajmëron Bayernin para ndeshjes së kthimit ndaj Real Madridit

    Javi Martínez paralajmëron Bayernin para ndeshjes së kthimit ndaj Real Madridit

    Ish-mesfushori i Javi Martínez ka këshilluar Bayern Munich që të mos luajë në mënyrë mbrojtëse në ndeshjen e kthimit ndaj Real Madrid në Ligën e Kampionëve.

    Bayern Munich ka fituar ndeshjen e parë në “Santiago Bernabéu” me rezultat 1–2 dhe do të kërkojë kualifikimin në gjysmëfinale në “Allianz Arena”.

    Martínez ka theksuar se nëse Bayern përpiqet vetëm të mbrojë rezultatin, rrezikon të ndëshkohet nga Real Madridi, një skuadër që sipas tij rrit nivelin në ndeshjet e mëdha dhe mund të rikthehet në çdo moment.

    Ai gjithashtu ka përmendur mungesën e Aurélien Tchouaméni si një faktor për madrilenët, por ka shtuar se kjo nuk e ul shumë rrezikun që ata paraqesin.

    Në rast kualifikimi, fituesi i kësaj çerekfinaleje do të përballet me fituesin e çiftit Liverpool – Paris Saint-Germain në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

  • Bruno Fernandes: Synimi ynë është ta rikthejmë Manchester United në majë të futbollit

    Bruno Fernandes: Synimi ynë është ta rikthejmë Manchester United në majë të futbollit

    Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka deklaruar se objektivi i tij kryesor është rikthimi i klubit në krye të futbollit anglez duke fituar Premier League.

    Mesfushori portugez, i cili iu bashkua “Djajve të Kuq” në vitin 2020, ka fituar deri tani dy trofe me klubin: Kupën e Ligës në sezonin 2022/23 dhe FA Cup një vit më pas. Megjithatë, ai ka përjetuar edhe zhgënjime në disa finale të rëndësishme, përfshirë Ligën e Evropës.

    Në një intervistë për “The Sunday Times”, Fernandes theksoi se çdo lojtar vjen te Manchester United me ambicien për të fituar trofe.

    “Pritshmëritë janë gjithmonë që të fitojmë Premier League. Njerëzit mund të mendojnë se vjen për para apo kontrata më të mira, por jo – te Manchester United vjen për të fituar trofe,” u shpreh ai.

    Ai shtoi se historia dhe madhështia e klubit janë faktorët kryesorë që e motivojnë.

    “Para mund të fitosh kudo. Shumë klube në Angli, Itali apo Spanjë paguajnë mirë. Por këtu vjen për historinë dhe për atë që mendon se mund të arrish,” tha Fernandes.

    Portugezi ishte i lidhur edhe me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite verën e kaluar, por ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë në Old Trafford, për sa kohë që klubi ndan të njëjtin objektiv.

    “Ajo që i them gjithmonë klubit është se nuk mund të më premtojnë titullin, kjo është e pamundur. Por nëse më premtojnë se do të jemi konkurrues, kjo më mjafton,” shtoi ai.

    “Nga aty varet nga unë të bëhem versioni më i mirë i vetes dhe të ndihmoj ekipin të arrijë nivelin më të lartë.”

    Aktualisht, Manchester United po synon rikthimin në Ligën e Kampionëve dhe vazhdon garën në kampionat, ndërsa në ndeshjen e radhës përballet me Leeds United

  • FIFA shqyrton mundësinë e një “play-off”-i emergjent në rast të tërheqjes së Iranit nga Kupa e Botës 2026

    FIFA shqyrton mundësinë e një “play-off”-i emergjent në rast të tërheqjes së Iranit nga Kupa e Botës 2026

    Shtëpia e futbollit botëror, FIFA, raportohet se po diskuton mundësinë e krijimit të një “play-off”-i të fundit, në rast se Irani vendos të tërhiqet nga Kupa e Botës 2026 për shkak të situatës së ndërlikuar politike.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pjesëmarrja e Iranit mbetet e pasigurt, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Për këtë arsye, FIFA thuhet se po shqyrton skenarë alternativë për plotësimin e një vendi të mundshëm bosh në turne.

    Një nga idetë e përmendura është organizimi i një mini “play-off”-i me katër kombëtare, dy nga Evropa dhe dy nga Azia. Megjithatë, mënyra e përzgjedhjes së ekipeve evropiane ende nuk është e qartë dhe nuk ka asnjë vendim zyrtar.

    Nëse do të merrej për bazë renditja botërore, disa nga kombëtaret e përmendura në diskutime janë Italia, Danimarka dhe Polonia, ndërsa Kosova renditet më poshtë në klasifikim dhe aktualisht nuk përmendet në listat e mundshme.

    Për momentin, këto mbeten vetëm diskutime dhe skenarë hipotetikë, pasi as FIFA dhe as autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar ndonjë vendim përfundimtar. Sipas raportimeve, një zhvillim i mundshëm në këtë çështje mund të vijë në muajt e ardhshëm, pak para nisjes së turneut.

  • Mbyllet sezoni i rregullt në NBA-Përcaktohen ekipet e play-off-it dhe “play-in”

    Mbyllet sezoni i rregullt në NBA-Përcaktohen ekipet e play-off-it dhe “play-in”

    Të dielën në mbrëmje është mbyllur sezoni i rregullt në NBA, duke përcaktuar ekipet që janë kualifikuar drejtpërdrejt në çerekfinalet e play-off-it, si dhe ato që do të garojnë në fazën “play-in” për dy vendet e fundit në secilën konferencë.

    Në Konferencën e Lindjes, vendin e parë e zuri Detroit Pistons, ndërsa në Konferencën e Perëndimit kryesoi Oklahoma City Thunder, kampione në fuqi. Këto dy skuadra konfirmuan dominimin e tyre gjatë 82 ndeshjeve të sezonit të rregullt, me Thunder që regjistroi edhe bilancin më të mirë në ligë, me 64 fitore dhe 18 humbje.

    Së bashku me Pistons, në Lindje siguruan kualifikimin direkt edhe Boston Celtics, New York Knicks, Cleveland Cavaliers, Toronto Raptors dhe Atlanta Hawks. Ndërkohë, në fazën “play-in” do të marrin pjesë Philadelphia 76ers, Orlando Magic, Charlotte Hornets dhe Miami Heat.

    Në Perëndim, përveç Thunder, biletën direkte për në play-off e siguruan edhe San Antonio Spurs, Denver Nuggets, Los Angeles Lakers, Houston Rockets dhe Minnesota Timberwolves. Në “play-in” do të përballen Phoenix Suns, Portland Trail Blazers, Los Angeles Clippers dhe Golden State Warriors.

    Ndeshjet e fazës “play-in” do të zhvillohen nga 14 deri më 17 prill, ndërsa çerekfinalet e play-off-it do të nisin më 18 prill.

  • Jannik Sinner ngjitet sërish në vendin e parë, fiton turmeun e Montekarlos pas finales kundër Carlos Alcaraz

    Jannik Sinner ngjitet sërish në vendin e parë, fiton turmeun e Montekarlos pas finales kundër Carlos Alcaraz

    Jannik Sinner është sërish në krye të tenisit botëror, pasi fitoi Monte-Carlo Masters duke mundur në finale Carlos Alcaraz me shifrat 7-6, 6-3. Sfida zgjati më shumë se dy orë dhe u karakterizua nga vështirësi për shkak të erës, që ndikoi në lojën e të dy tenistëve.

    Seti hapës ishte shumë i luftuar dhe u vendos në tie-break, ku italiani tregoi më shumë saktësi në momentet vendimtare. Në vazhdim, Alcaraz mori epërsinë në setin e dytë, por Sinner reagoi shpejt, përmbysi rezultatin me dy thyerje radhazi dhe administroi avantazhin deri në fund të takimit.

    Ky sukses i jep Sinner titullin e tetë në turnetë Masters 1000 dhe e rikthen në vendin e parë në renditjen e ATP. Diferenca me Alcaraz mbetet minimale, vetëm 110 pikë, duke e bërë rivalitetin mes tyre edhe më të fortë këtë sezon.

    Shtypi italian reagoi me entuziazëm të madh, duke e cilësuar këtë arritje si një moment historik për sportin në Itali, me tituj që vinin në pah dominimin aktual të Sinner në arenën ndërkombëtare

  • Vedat Muriqi hyn në historinë e Mallorca-s, lë pas Samuel Eto’o dhe synon “Këpucën e Artë”

    Vedat Muriqi hyn në historinë e Mallorca-s, lë pas Samuel Eto’o dhe synon “Këpucën e Artë”

    Vedat Muriqi ka hyrë në historinë e RCD Mallorca, pasi është bërë golashënuesi më i mirë i klubit në La Liga, duke kaluar legjendën Samuel Eto’o.

    Sulmuesi kosovar arriti këtë rekord pas dy golave të shënuar ndaj Rayo Vallecano, duke shkuar në kuotën e 55 golave me fanellën e klubit, një më shumë se Eto’o.

    Pas ndeshjes, Muriqi u nderua në muzeun e klubit, ku vendosi edhe këpucët e tij si simbol i këtij momenti historik. Mallorca publikoi një video nga vizita e tij, duke shkruar: “Këpucët historike shkojnë direkt në muzeun e Mallorca-s.”

    Forma e mirë e Muriqit po vazhdon edhe në garën për golashënuesin më të mirë të sezonit. Me 21 gola të realizuar, ai ndodhet pranë liderit Kylian Mbappé dhe mbetet në garë të fortë për “Këpucën e Artë” në La Liga.