ATV

Category: Sport

  • Kamp grumbullues për hendbollistët e rinj të Kosovës në Prishtinë

    Kamp grumbullues për hendbollistët e rinj të Kosovës në Prishtinë

    Kjo javë i është kushtuar aktiviteteve të kombëtareve të hendbollit, ndërsa Kombëtarja A e Kosovës nuk do të zhvillojë grumbullim zyrtar. Megjithatë, përzgjedhësi Jesper Ostlund së bashku me shtabin teknik kanë organizuar një kamp grumbullues për hendbollistët e rinj, të cilët konsiderohen kandidatë potencialë për ekipet e grupmoshave të Kombëtares së Kosovës.

    Në këtë kamp pritet të marrin pjesë rreth 25 deri në 30 lojtarë të rinj, shumica prej tyre pjesë e klubeve vendore të hendbollit. Qëllimi i këtij organizimi është vlerësimi dhe zhvillimi i talenteve të reja, si dhe përgatitja e tyre për të ardhmen në fanellën e Kosovës.

    Grumbullimi po mbahet në Prishtina, ndërsa fokusi kryesor i kampit do të jetë puna në aspektin fizik dhe përgatitja atletike e lojtarëve. Seancat stërvitore do të udhëhiqen nga selektori Ostlund, i cili do të ketë mundësinë të përcjellë nga afër potencialin e hendbollistëve të rinj.

    Takimi i parë i lojtarëve është paraparë të mbahet të enjten në mesditë, në Hotel International Prishtina, ndërsa kampi do të zgjasë deri më 17 maj. Ky aktivitet shihet si një hap i rëndësishëm në ndërtimin e brezave të rinj për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të hendbollit.

  • Massimiliano Allegri drejt largimit nga AC Milan pas tensioneve me Zlatan Ibrahimović

    Massimiliano Allegri drejt largimit nga AC Milan pas tensioneve me Zlatan Ibrahimović

    Trajneri i AC Milan, Massimiliano Allegri, raportohet se dëshiron të largohet nga klubi në fund të sezonit për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme me këshilltarin e lartë të klubit, Zlatan Ibrahimović.

    Sipas raportimeve të “Corriere della Sera”, marrëdhënia mes dy figurave ka qenë e tensionuar prej kohësh, ndërsa Allegri nuk është i kënaqur me ndikimin e Ibrahimovicit në aspektin taktik, si dhe me përfshirjen e tij në komunikimin me lojtarët dhe drejtimin e skuadrës.

    Forma e Milanit ka rënë ndjeshëm në javët e fundit, me vetëm dy fitore në tetë ndeshjet e fundit, duke vënë në rrezik objektivin kryesor të klubit për sigurimin e një vendi në UEFA Champions League.

    Sipas të njëjtave burime, Massimiliano Allegri pritet të largohet nga San Siro në fund të sezonit, pavarësisht pozitës që Milani do të zërë në Serie A.

    Trajneri italian përmendet gjithashtu si një nga kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e Kombëtares italiane në të ardhmen.

  • Arne Slot i bindur për qëndrimin te Liverpool edhe sezonin e ardhshëm

    Arne Slot i bindur për qëndrimin te Liverpool edhe sezonin e ardhshëm

    Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka deklaruar se pret të vazhdojë në stolin e “The Reds” edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht kritikave dhe rezultateve zhgënjyese në këtë edicion të Premier League.

    Holandezi është përballur me presion në rritje nga tifozët në Anfield, ndërsa skuadra po lufton për të siguruar një vend në UEFA Champions League.

    Pas një sezoni debutues fantastik, ku arriti të fitojë titullin e Premier League, këtë sezon Liverpool ka pësuar 11 humbje në kampionat, duke sjellë pakënaqësi të dukshme te tifozët.

    “Unë nuk mendoj se ky vendim varet vetëm nga unë, por kam çdo arsye të besoj se do të jem trajner i Liverpoolit edhe sezonin e ardhshëm”, deklaroi Slot.

    “Së pari, kam kontratë me klubin dhe, së dyti, nga të gjitha bisedat që kemi zhvilluar, kjo është mënyra si e shoh situatën”, shtoi ai.

    Megjithëse raportimet sugjerojnë se drejtuesit e klubit nuk po mendojnë për ndryshim trajneri, atmosfera rreth skuadrës ka ndryshuar ndjeshëm për shkak të rezultateve të dobëta.

    Arne Slot pranoi gjithashtu se skuadra nuk ka arritur nivelin e sezonit të kaluar dhe se kritikat janë të kuptueshme.

    “Nëse e krahason këtë sezon me të kaluarin, atëherë padyshim që nuk ka qenë një sezon i mirë dhe është normale të ketë kritika”, përfundoi trajneri holandez

  • Cleveland Cavaliers triumfon në transfertë dhe i afrohet finales së Lindjes

    Cleveland Cavaliers triumfon në transfertë dhe i afrohet finales së Lindjes

    Cleveland Cavaliers arriti një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Detroit Pistons me rezultatin 117-113, duke marrë avantazh të madh në serinë e play-offit.

    Cavaliers nuk kishin fituar asnjëherë jashtë fushe gjatë kësaj faze, por reaguan pikërisht në momentin më vendimtar, në ndeshjen e pestë të serisë ndaj Pistons.

    Tre minuta nga fundi, vendasit kryesonin me nëntë pikë diferencë, por Cleveland përmbysi gjithçka me një rikthim spektakolar.

    Më i miri për Cavaliers ishte Donovan Mitchell me 21 pikë, duke qenë protagonist në momentet vendimtare të sfidës, ndërsa për vendasit shkëlqeu Cade Cunningham me 39 pikë, por pa mundur të shmangë humbjen.

    Ndërkohë, kampi i Pistons u ankua për arbitrimin në sekondat e fundit të takimit, pasi pretenduan për një faull ndaj Ausar Thompson që nuk u akordua nga gjyqtarët.

    Ndeshja u zhvillua në Little Caesars Arena, ndërsa tani Cleveland ka mundësinë ta mbyllë serinë në shtëpi dhe të sigurojë kualifikimin në finalen e Konferencës së Lindjes.

  • Luis Enrique barazon rekordin historik te Paris Saint-Germain

    Luis Enrique barazon rekordin historik te Paris Saint-Germain

    Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka arritur një moment historik në futbollin francez duke fituar trofeun e tij të 11-të me klubin parisien.

    Pas fitores 2-0 ndaj RC Lens në stadiumin Stade Bollaert-Delelis, trajneri spanjoll barazoi rekordin e mbajtur nga Laurent Blanc për numrin më të madh të trofeve të fituara nga një trajner në historinë e PSG-së.

    Kjo fitore i siguroi matematikisht PSG-së edhe titullin e 14-të në Ligue 1, ndërsa ishte kampionati i pestë radhazi për klubin francez.

    Pavarësisht rezistencës së fortë nga Lens, golat e Khvicha Kvaratskhelia dhe Ibrahim Mbaye vulosën triumfin e parisienëve në ndeshjen vendimtare.

    Pas dominimit në kampionatin vendas, vëmendja e skuadrës tani është përqendruar te finalja e madhe të UEFA Champions League.

    Luis Enrique po përgatit ekipin e tij për përballjen ndaj Arsenal FC në finalen e Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 30 maj.

  • Robert Lewandowski pranë largimit nga FC Barcelona-Al-Hilal ofron 90 milionë euro në sezon

    Robert Lewandowski pranë largimit nga FC Barcelona-Al-Hilal ofron 90 milionë euro në sezon

    E ardhmja e Robert Lewandowski te FC Barcelona është vënë seriozisht në pikëpyetje, pasi interesimi nga Lindja e Mesme po intensifikohet çdo ditë e më shumë.

    Sipas raportimeve të mediave polake, gjiganti saudit Al-Hilal ka paraqitur një ofertë zyrtare për sulmuesin veteran dhe konsiderohet favorit për transferimin e tij gjatë verës.

    Klubi nga Riadi synon të forcojë repartin ofensiv me një tjetër emër të madh të futbollit botëror, ndërsa burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Lewandowski është afër pranimit të ofertës.

    37-vjeçari është lidhur javët e fundit edhe me klube si Juventus FC, AC Milan dhe Chicago Fire FC, por Al-Hilal ka dalë në plan të parë si destinacioni më i mundshëm.

    Oferta financiare e klubit saudit konsiderohet marramendëse, pasi Lewandowskit i është ofruar një pagë prej 90 milionë eurosh në sezon për të pranuar transferimin.

    Nëse marrëveshja finalizohet, aventura e sulmuesit polak në La Liga do të marrë fund pas një periudhe të suksesshme me Barcelonën.

  • Klubi i Futsallit “Policia e Kosovës” shpallet kampion i Ligës së Parë

    Klubi i Futsallit “Policia e Kosovës” shpallet kampion i Ligës së Parë

    Klubi i Futsallit “Policia e Kosovës” ka arritur një sukses të madh sportiv, duke u shpallur kampion i Ligës së Parë të Futsallit për edicionin garues 2025/2026 dhe duke siguruar pjesëmarrjen në gara në Superligën e Kosovës.

    Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se ekipi i Policisë së Kosovës dominoi me rezultat 8:3.

    Pas përfundimit të ndeshjes, në një atmosferë festive dhe emocionuese, u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së medaljeve dhe Kupës së Kampionit.

    Medaljet dhe trofeu iu dorëzuan ekipit kampion nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në praninë e zyrtarëve të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës, udhëheqjes së klubit Policia e Kosovës dhe Drejtorisë së Sportit të Komunës së Prishtinës.

    “Policia e Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kanë mbështetur ekipin gjatë këtij rrugëtimi dhe uron që ky sukses të shërbejë si motivim për të gjithë. Urime dhe suksese ekipit!”.

  • Palestinezët “i kthejnë nderin” Lamine Yamalit – murali i tij shfaqet në Gaza

    Palestinezët “i kthejnë nderin” Lamine Yamalit – murali i tij shfaqet në Gaza

    Lamine Yamal vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm për paraqitjet në fushë, por edhe për imazhin që krijoi gjatë festës së titullit të Barcelonës në La Liga.

    Pamjet e talentit spanjoll duke valëvitur një flamur palestinez mbi autobusin e ekipit pas fitimit të titullit kampion i Spanjës, bën gjiron e botës dhe shkaktuan reagime të shumta në rrjete sociale.

    Tani, palestinezët duket se i kanë kthyer “nderin” yllit të ri të Barcelonës.

    Sipas pamjeve që po qarkullojnë, disa aktivistë palestinezë kanë realizuar një mural të Lamine Yamal në kampin e refugjatëve al-Shati, në perëndim të Qytetit Gaza.

    Në mural, Yamal paraqitet pikërisht në momentin kur valëvit flamurin e Palestinës, një imazh që tashmë është kthyer në simbolikë për shumë mbështetës palestinezë në rrjete sociale.

    Raportohet se gjatë festës së Barcelonës, flamuri i Palestinës u hodh nga turma drejt lojtarëve.

    Yamal e pranoi flamurin pa hezitim, dhe më pas e shpalosi dhe e valëviti para tifozëve që ndiqnin kolonën festive. Veprimi i tij u prit me entuziazëm në turmë dhe u komentua gjerësisht edhe online.

  • Yuste i Barcelonës i kundërpërgjigjet Perezit: “Deklarata patetike dhe të pavërteta”

    Yuste i Barcelonës i kundërpërgjigjet Perezit: “Deklarata patetike dhe të pavërteta”

    Në prag të ndeshjes së Barcelonës  ndaj Deportivo Alaves, presidenti i përkohshëm i klubit katalanas, Rafa Yuste, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të Real Madrid CF, Florentino Perez, lidhur me çështjen “Negreira”.

    Sipas raportimeve, Perez kishte akuzuar Barcelonën për përfitime nga gjyqtarët dhe pretendoi se Real Madridi është privuar nga shtatë tituj të La Liga për shkak të kësaj çështjeje. Po ashtu, ai thuhet se ka përgatitur një dosje për UEFA, ku synon të paraqesë pretendime për njëanshmëri në gjykim.

    Yuste i cilësoi deklaratat e Perezit si “patetike” dhe “të mbushura me gënjeshtra”, duke shtuar se klubi po shqyrton edhe mundësinë e veprimeve ligjore.

    “Ky manovrim i Florentino Perezit për të mbuluar një katastrofë sportive që po zgjat prej dy vitesh nuk do ta çojë askund”, deklaroi Yuste.

    Ai theksoi se sukseset e fundit të Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick janë rezultat i punës dhe meritës sportive, si dhe kontributit të lojtarëve nga akademia La Masia.

    “Është e kotë të flasim sërish për Negreira kur ne kemi fituar dy liga me një projekt me lojtarë nga La Masia dhe të tjerë të ardhur nga jashtë,” u shpreh ai.

    Yuste shtoi gjithashtu se diferenca në renditje është dëshmi e qartë e formës së Barcelonës.

    “Po e fitojmë me 14 pikë diferencë dhe kjo është thjesht një shashkë për të justifikuar menaxhimin e dobët,” tha ai.

    Në fund, zyrtari katalanas mohoi kategorikisht pretendimet për “tituj të vjedhur”:

    “Shtatë tituj të vjedhur? Kjo është krejtësisht e pavërtetë.”

    Ai mbylli deklaratën me një koment ironik për situatën në klub, duke iu referuar rikthimeve dhe zhvillimeve të brendshme te Barcelona.

  • Vedat Muriqi përfshihet në skuadrën e sezonit në La Liga nga EA Sports FC

    Vedat Muriqi përfshihet në skuadrën e sezonit në La Liga nga EA Sports FC

    EA Sports ka publikuar skuadrën më të mirë të sezonit për La Liga në lojën EA Sports FC 25, ndërsa pjesë e saj është edhe sulmuesi kosovar Vedat Muriqi.

    Në formacionin e përzgjedhur nga platforma e njohur e lojës, në repartin ofensiv janë përfshirë Kylian Mbappe, Vedat Muriqi dhe talenti i FC Barcelona, Lamine Yamal.

    Në mesfushë janë përzgjedhur Pedri, Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde.

    Mbrojtja përbëhet nga Carlos Romero në të majtë, Eric Garcia në qendër dhe Marcos Llorente në të djathtë, ndërsa portieri i përzgjedhur është Joan Garcia.

    Përfshirja e Muriqit në këtë listë konsiderohet një arritje e madhe për futbollin kosovar dhe tifozët shqiptarë, pasi sulmuesi i RCD Mallorca ka zhvilluar një sezon fantastik.

    Sulmuesi kosovar ka realizuar 22 gola këtë sezon, duke regjistruar edicionin më të mirë të karrierës së tij deri më tani.

    “Team of the Season” (TOTS) është një nga eventet më të ndjekura në komunitetin e EA Sports FC, pasi kartat speciale të lojtarëve marrin statistika të avancuara dhe janë ndër më të kërkuarat në modalitetin Ultimate Team.