ATV

Category: Sport

  • Liria siguron “play-off”-in me fitore bindëse ndaj Dinamo Ferizajt

    Liria siguron “play-off”-in me fitore bindëse ndaj Dinamo Ferizajt

    KF Liria ka siguruar pjesëmarrjen në “play-off”, përkatësisht barazhin për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar, pasi mposhti bindshëm në udhëtim KF Dinamo Ferizaj me rezultat 1:5.

    Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke dominuar takimin nga fillimi deri në fund.

    Liria kaloi në epërsi falë golit të Dijar Nikqi, ndërsa për golin e dytë u përkujdes qendërmbrojtësi Muhamed Useini.

    Më pas, Albion Kurtaj realizoi një gol fantastik për rezultatin 0:3.

    Nikqi u rikthye sërish në skenë duke realizuar edhe golin e katërt për prizrenasit, ndërsa goditjen finale e dha Vigan Ademi.

    Golin e vetëm për vendasit e realizoi kapiteni Enhar Cakolli, i cili shënoi pas penalltisë së humbur nga Sokol Kiqina.

    Me këtë fitore, Liria e përfundon kampionatin e Ligës së Parë në pozitën e tretë dhe në fazën e barazhit do të përballet pikërisht me KF Dinamo Ferizaj për një vend në finalen e “play-off”-it.

    Fituesi i këtij dueli më pas do të luajë ndaj skuadrës që e përfundon Superligën e Kosovës në vendin e tetë, për pozitën e fundit në elitë për edicionin 2026/27.

  • Vushtrria rikthehet në Superligën e Kosovës pas gjashtë vitesh

    Vushtrria rikthehet në Superligën e Kosovës pas gjashtë vitesh

    KF Vushtrria ka siguruar rikthimin në elitën e futbollit kosovar, pasi shënoi fitore të madhe në udhëtim ndaj KF Vëllaznimi me rezultat 3:1.

    Skuadra nga Vushtrria vulosi rikthimin në Superligën e Kosovës pas gjashtë vitesh mungesë, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm në Ligën e Parë.

    Takimi nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 12-të me golin e Dardan Jashari për rezultatin 1:0.

    Megjithatë, Vushtrria reagoi fuqishëm dhe arriti ta përmbysë rezultatin, duke marrë tri pikë të mëdha që i siguruan rikthimin në Superligë.

  • Feronikeli ’74 rikthehet në elitën e futbollit kosovar

    Feronikeli ’74 rikthehet në elitën e futbollit kosovar

    KF Feronikeli 74 ka siguruar inkuadrimin në Superligën e Kosovës për edicionin 2026/27, pas fitores me rezultat 0:2 ndaj KF Ramiz Sadiku.

    Skuadra nga Drenasi u promovua në elitën e futbollit kosovar si nënkampione e Ligës së Parë, duke e përfunduar sezonin pas KF Vushtrria, që u shpall kampione.

    Feronikeli ’74 zhvilloi një tjetër paraqitje të shkëlqyer në Prishtinë. Golin e epërsisë e realizoi Kreshnik Bahtiri në minutën e 20-të, pas asistimit të bukur nga Shpresim Zogu.

    Fitoren dhe rikthimin në Superligë e vulosi Avni Selmani në minutën e 80-të, pas një aksioni të shpejtë.

    Me këtë fitore, Feronikeli ’74 e mbyll sezonin me 74 pikë dhe siguron rikthimin në elitë, ndërsa KF Ramiz Sadiku e përfundon kampionatin në vendin e shtatë me 50 pikë.

  • Grabitet shtëpia e ish-kampionit të Formula 1 Alain Prost

    Grabitet shtëpia e ish-kampionit të Formula 1 Alain Prost

    Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Alain Prost, është lënduar lehtë gjatë një grabitjeje në banesën e tij në Zvicër, ku autorët kanë hyrë me forcë dhe kanë kërcënuar familjarët e tij.

    Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes, ndërsa grabitësit kanë marrë sende me vlerë pasi kanë detyruar një anëtar të familjes të hapë kasafortën.

    Zyra e Prokurorit Publik në kantonin Vaud ka konfirmuar se ka nisur një hetim, duke theksuar se autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.

    Në deklaratat zyrtare të policisë thuhet se disa persona të maskuar hynë me forcë në shtëpi, kërcënuan banorët dhe shkaktuan një lëndim të lehtë në kokë te një prej tyre, në rrethana që ende po hetohen.

    Pas ngjarjes, autorët janë larguar me sende të vjedhura, ndërsa lista e plotë e tyre po përpilohet nga autoritetet.

    Sipas gazetës zvicerane Blick, Prost është larguar nga shtëpia e tij në Nyon pas incidentit dhe është tronditur dukshëm nga sulmi.

    Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa autoritetet zvicerane po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

  • João Félix shpallet lojtari i sezonit në Ligën Profesionale Saudite

    João Félix shpallet lojtari i sezonit në Ligën Profesionale Saudite

    Sulmuesi i Al-Nassr FC, João Félix, është shpallur lojtari më i mirë i sezonit në Saudi Pro League, duke lënë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror.

    Portugezi 26-vjeçar ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, duke realizuar 20 gola dhe duke u renditur në vendin e pestë në listën e golashënuesve, ndërsa ka qenë lider absolut në asistime me 13 të tilla. Ai ka mposhtur në garë sulmuesin Julian Quiñones të Al-Qadisiyah FC.

    Ky ishte sezoni i parë i Félix me kampionët e ligës saudite, pasi klubi pagoi rreth 30 milionë euro për transferimin e tij nga Chelsea FC në verën e vitit 2025.

    Pavarësisht konkurrencës së fortë, ai arriti të lërë pas në garë edhe bashkëlojtarin e tij Cristiano Ronaldo, si dhe Rúben Neves dhe Ivan Toney.

    Në çmimet individuale të sezonit, portieri më i mirë u shpall Édouard Mendy i Al-Ahli Saudi FC, ndërsa trajneri i vitit u zgjodh Jorge Jesus.

  • Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Sezonit” në Premierligë

    Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Sezonit” në Premierligë

    Mesfushori i Manchester United FC, Bruno Fernandes, është shpallur “Lojtari i Sezonit” në Premier League pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë këtij edicioni.

    Reprezentuesi portugez ka qenë një nga figurat kryesore të Manchester Unitedit këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën të sigurojë vendin e tretë në tabelë dhe kualifikimin në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm.

    Fernandes ka zhvilluar 34 ndeshje në kampionat, duke realizuar tetë gola dhe duke qenë organizatori kryesor i lojës sulmuese të skuadrës nga mesfusha.

    Njëkohësisht, ai ka arritur edhe një sukses të rëndësishëm individual, pasi ka barazuar rekordin e Ligës Premier për më së shumti asistime në një sezon të vetëm. Portugezi ka regjistruar 20 asistime, duke u barazuar me Kevin De Bruyne dhe Thierry Henry.

    Me një ndeshje të mbetur ndaj Brighton & Hove Albion FC, Fernandes ka mundësinë të vendosë një rekord të ri dhe ta mbyllë sezonin si asistuesi më i mirë i kampionatit.

    Portugezi triumfoi në një garë të fortë për këtë çmim, ku në mesin e kandidatëve ishin edhe Gabriel Magalhães, David Raya, Declan Rice, Erling Haaland, Antoine Semenyo, Igor Thiago dhe Morgan Gibbs-White.

  • Alexander Sorloth drejt largimit nga Atletico-Milani dhe Juventusi në garë për sulmuesin norvegjez

    Alexander Sorloth drejt largimit nga Atletico-Milani dhe Juventusi në garë për sulmuesin norvegjez

    Sulmuesi i Atlético Madrid, Alexander Sørloth, mund të jetë një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar veror, pasi interesimi për të po rritet nga klubet e mëdha evropiane.

    Sulmuesi norvegjez ka zhvilluar një sezon pozitiv në futbollin spanjoll, duke realizuar 20 gola, pavarësisht se nuk ka qenë gjithmonë titullar i rregullt në skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone.

    Sipas gazetarit Nicolò Schira, Juventus FC dhe AC Milan kanë kërkuar informacione për mundësinë e transferimit të 30-vjeçarit gjatë verës.

    Juventusi po kërkon një qendërsulmues të ri për shkak të pasigurisë rreth së ardhmes së Dušan Vlahović, ndërsa në listën e dëshirave të klubit bardhezi përmenden edhe Loïs Openda dhe Jonathan David.

    Në anën tjetër, Milani synon të përforcojë repartin ofensiv me një sulmues të nivelit të lartë, pas problemeve të vazhdueshme në fazën e finalizimit gjatë këtij sezoni.

    Pavarësisht rolit jo të përhershëm si titullar, Sørloth ka qenë një armë e rëndësishme për Atletico Madridin, duke treguar efikasitet para portës dhe forcë të madhe fizike në repartin ofensiv.

    Përveç dy gjigantëve italianë, me sulmuesin norvegjez janë lidhur edhe Como 1907 dhe Everton FC.

  • Barcelona pret “dritën e gjelbër” për transferimin e Vedat Muriqit

    Barcelona pret “dritën e gjelbër” për transferimin e Vedat Muriqit

    Gjiganti katalunas Barcelona po e monitoron me shumë vëmendje situatën e MallorcaS në javën e fundit të La Liga, pasi rezultati final i sezonit mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e transferimit të Vedat Muriqi.

    Klubi katalunas besohet se është i interesuar seriozisht për sulmuesin kosovar, ndërsa drejtuesit e Barcelonës janë të vetëdijshëm se tarifa aktuale prej rreth 40 milionë eurosh mund të ulet ndjeshëm në rast se Mallorca bie nga elita e futbollit spanjoll.

    Sipas raportimeve, ekzistojnë klauzola të veçanta në kontratën e Muriqit që do ta reduktonin çmimin e largimit të tij, gjë që do ta bënte transferimin shumë më të arritshëm për klubin nga “Camp Nou”.

    Brenda klubit blaugranas, ky operacion konsiderohet si një mundësi ideale për të përforcuar repartin ofensiv me një sulmues me profil ndryshe, sidomos pas largimit të pritshëm të Robert Lewandowski.

    Barcelona e sheh Muriqin si një zgjidhje të rëndësishme për ndeshjet e vështira, falë dominimit në lojën ajrore, forcës fizike dhe eksperiencës së tij në futbollin spanjoll.

  • Xhiroja e 35-të e Albi Mall Superligës sjell derbi dhe përballje vendimtare

    Xhiroja e 35-të e Albi Mall Superligës sjell derbi dhe përballje vendimtare

    Albi Mall Superliga e Kosovës ka hyrë në fazën përfundimtare të sezonit, ndërsa këtë të diel zhvillohet xhiroja e 35-të, respektivisht e parafundit në elitën e futbollit kosovar.

    Edhe pse tashmë janë përcaktuar kampioni, dy skuadrat që bien nga liga dhe dy ekipet që kanë siguruar garat evropiane, vëmendja kryesore mbetet te lufta për t’iu shmangur barazhit.

    Skuadrat që po luftojnë për t’i ikur pozitës së tetë janë FC Prishtina, SC Gjilani, KF Dukagjini, KF Drenica dhe KF Llapi.

    Në Gjilan do të zhvillohet derbi lokal mes FC Drita dhe SC Gjilani, takim në të cilin kampionët e rinj të Kosovës do ta pranojnë edhe trofeun e kampionit.

    Një tjetër përballje interesante luhet në Suharekë, ku FC Ballkani pret FC Prishtina.

    Ndërkohë, KF Dukagjini luan në udhëtim te Prishtina e Re, KF Llapi pret FC Malisheva në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ndërsa KF Drenica përballet me KF Ferizaj.

    Dy javët e fundit të kampionatit pritet të jenë vendimtare për skuadrat që synojnë mbijetesën në Superligë,teksa të gjitha ndeshjet e xhiros së 35-të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 16:00.

  • Pep Guardiola mbetet pjesë e City Football Group

    Pep Guardiola mbetet pjesë e City Football Group

    Pep Guardiola do të largohet nga posti i trajnerit të Manchester City në fund të sezonit 2025/26, duke i dhënë fund një periudhe historike 10-vjeçare në “Etihad”.

    Trajneri spanjoll ka shkruar historinë me klubin anglez, duke fituar gjashtë tituj të Premier League, tre FA Cup, pesë Kupa të Ligës dhe një trofe të UEFA Champions League.

    Guardiola do ta drejtojë ndeshjen e tij të fundit ndaj Aston Villa të dielën, përpara një lamtumire emocionale nga tifozët në stadiumin Etihad Stadium.

    Ndërkohë, Manchester City ka konfirmuar se tribuna e sapozgjeruar “North Stand” në “Etihad” do të mbajë emrin “The Pep Guardiola Stand”. Gjithashtu, klubi do të vendosë një statujë të trajnerit spanjoll pranë hyrjes së tribunës, në nder të kontributit të tij të jashtëzakonshëm.

    Pavarësisht largimit nga pankina, Guardiola nuk do të ndahet plotësisht nga City Football Group. Klubi ka bërë të ditur se ai ka pranuar një rol të ri si ambasador global, ku do të ofrojë këshilla teknike dhe do të bashkëpunojë me klubet pjesë të grupit.

    Në rolin e tij të ri, Guardiola pritet të punojë në projekte të ndryshme me klube si Palermo FC dhe ES Troyes AC, skuadër që së fundmi siguroi rikthimin në Ligue 1.