ATV

Author: Samir Dalipi

  • Slot jep lajmin për dëmtimet e dy lojtarëve kyç pas humbjes ndaj Galatasarayt

    Slot jep lajmin për dëmtimet e dy lojtarëve kyç pas humbjes ndaj Galatasarayt

    Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar shqetësime serioze për dy dëmtime të rëndësishme në ekipin e tij pas humbjes 1-0, kundër ekipit turk Galatasaray në Ligën e Kampionëve.

    Portieri Alisson Becker dhe sulmuesi francez Hugo Ekitike u detyruan të largoheshin nga fusha për shkak të problemeve fizike, duke ngjallur dyshime mbi pjesëmarrjen e tyre në ndeshjen e së shtunes kundër Chelsea-t në Premier League.

    Slot shpjegoi se dëmtimi i Alisson ndodhi gjatë një kthimi të shpejtë në mbrojtje dhe shenjat fillestare nuk janë pozitive.

    “Gjatë sprintit të kthimit, ai ndjeu diçka. Nuk mund të jap një diagnozë të saktë, pasi nuk jam fizioterapist, por zakonisht, kur një lojtar ndalon papritur dhe nuk kthehet në fushë, nuk është shenjë e mirë. Në 9 nga 10 raste të tilla, unë shqetësohem për më të keqen, që do të thotë se ai nuk do të mund të vazhdojë lojën. Kjo ndodhi edhe me Alisson. Në mënyrë normale, ai nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës. Jam 99.9% i sigurt, edhe pse më parë kam qenë 100%, por tani po lë hapësirë për pak optimizëm. Megjithatë, e konsideroj thuajse të sigurt,” tha Slot për portierin Becker. /ATVLIVE.TV

  • Griezmann shënon një tjetër sukses historik: 200 gola me klubet

    Griezmann shënon një tjetër sukses historik: 200 gola me klubet

    Sulmuesi francez, Antoine Griezmann, ka arritur kuotën e 200 golave në karrierën e tij me klube, duke forcuar më tej statusin si një nga futbollistët më të rëndësishëm të dekadës së fundit në futbollin evropian.

    I njohur për inteligjencën taktike, vizionin në lojë dhe efikasitetin para portës, Griezmann ka lënë gjurmë të thella te Real Sociedad, Atletico Madrid, Barcelona dhe në rikthimin e tij te “Los Colchoneros”.

    Pjesa më e madhe e golave i përket periudhave të tij me Atletico Madridin, ku është shndërruar në simbol të fazës sulmuese të ekipit.

    Kjo shifër golash e vendos 34 vjeçarin mes lojtarëve më produktivë të futbollit modern, teksa vazhdon të luajë rol vendimtar si në La Liga, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare me përfaqësuesen e Francës.

    Arritja e 200 golave është dëshmi e qëndrueshmërisë, klasit dhe profesionalizmit të një kampioni bote, i cili mbetet një figurë qendrore në futbollin elitar dhe që ende ka shumë për të dhënë.

    Gjithsej, në nivel klubesh, ai numëron 758 ndeshje, ku ka shënuar 287 gola dhe ka kontribuar në 128 të tjerë. /ATVLIVE.TV

  • Sigal Prishtina nis sonte edicionin e ri në European North Basketball League

    Sigal Prishtina nis sonte edicionin e ri në European North Basketball League

    Sigal Prishtina e hap sot rrugëtimin e saj në sezonin e ri të European North Basketball League (ENBL), me një përballje kundër skuadrës norvegjeze BC Gimle. Ndeshja zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

    Kjo është hera e dytë që bardhekaltrit marrin pjesë në këtë garë evropiane, ku synimi është të arrijnë sa më larg në kompeticion. Në fazën e grupeve, Prishtina do të zhvillojë tetë ndeshje – katër si vendase dhe katër si mysafire.

    Për herë të parë në këtë ligë do të garojë edhe një tjetër skuadër nga Kosova, KB Peja, duke e bërë pjesëmarrjen kosovare më të rëndësishme dhe më përfaqësuese në arenën ndërkombëtare të basketbollit.

    Kundërshtarët e Prishtinës në këtë edicion të ENBL janë:

    • BK Opava (Çeki)

    • BC Gimle (Norvegji)

    • Brussels Basketball (Belgjikë)

    • Slovan Bratislava (Sllovaki)

    • Tindastoll Saudarkrokur (Islandë)

    • Keila Coolbet (Estoni)

    • Manchester Basketball (Britani e Madhe)

    • KK Dinamo Zagreb (Kroaci)

    Skuadra kryeqytetase synon ta nisë me fitore këtë kampanjë evropiane, përballë tifozëve të saj, dhe të hedhë hapin e parë drejt fazave eliminatore. Ndeshja e sotme pritet të sjellë emocion, ritëm të lartë dhe spektakël në zemër të Prishtinës. /ATVLIVE.TV

  • KB Bashkimi synon historinë në FIBA Europe Cup

    KB Bashkimi synon historinë në FIBA Europe Cup

    Pas fitores së rëndësishme kundër Anwil-it, skuadra e Bashkimit është vetëm një hap larg arritjes historike që për herë të parë të bëhet pjesë e fazës së grupeve në FIBA Europe Cup.

    Për ta siguruar këtë sukses të madh për klubin më të vjetër të basketbollit në Kosovë, prizrenasit duhet ta mbrojnë epërsinë prej pesë pikësh nga ndeshja e parë, e cila përfundoi me rezultat 80:75 në favor të tyre.

    Skuadra që do të jetë më e mirë në përballjen dy-ndeshjeje do të sigurojë vendin në grupet e turneut. Bashkimi, nënkampion i Kosovës, po merr pjesë për herë të parë në kualifikimet e FIBA Europe Cup dhe nëse arrin të eliminojë skuadrën polake në Poloni, do t’i bashkohet Trepçës, PAOK-ut të Greqisë dhe Braunschweig-ut të Gjermanisë në Grupin F.

    Anwil konsiderohet një nga skuadrat më të forta në Poloni në vitet e fundit. Ajo e fitoi FIBA Europe Cup para dy vitesh, ndërsa sezonin e kaluar u eliminua në raundin e 1/16-tës.

    Ndeshja vendimtare do të luhet sonte në Poloni, me fillim nga ora 18:30, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FIBA-s në YouTube. /ATVLIVE.TV

  • NË PRISHTINË PROTESTOHET PËR LIRIMIN E ARBNOR SPAHIUT

    Me pankarta në duar që mbanin mbishkrime në gjuhën shqipe dhe angleze, familjarë e qytetarë të shumtë u mblëdhën të martën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kërkuar lirimin e ish-policit, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi që nga muaji qershor.

    Babai i Arbnorit, Fatmir Spahiu theksoi se ndaj djalit të tij po bëhet një padrejtësi, duke kujtuar se ai po akuzohet për ngjarjën në Banjskë në vitin 2023, derisa kishte lënë Policinë e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

    “Me Arbnorin janë takuar shoqja dhe nena e Arbnorit. Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë, për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur, i mërzitur nga padrejtësia qe po i behet, ndërsa me u maltretu nuk është maltretuar, sjellja ka qene korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi qe është duke u mbajtur ne mënyre te padrejtë” shtoi ai.

    Vajza e axhës së Spahiut, Donjeta Spahiu, kritikoi autoritetet e Kosovës për mungesë të veprimit karshi këtij rasti.

    “Sot jemi në muajin e katërt të kësaj padrejtësie. Janë 4 muaj të rëndë për Arbnorin, që dikur i shërbente dinjitetshëm vendit. Institucionet duhet të ngrisin zërin, sepse heshtja e tyre është dështim” deklaroi për ATV-në Spahiu.

    Organizatorja e protestës, Erëza Zeqiri kërkoi reagim edhe të bashkësisë ndërkombëtare.

    “Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur” shtoi ajo.

    Arbnor Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa dy ditë më vonë Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij.

    Ai akuzohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjen në Banjskë të Zveçanit më 23 shtator 2023.

     

  • NGA 12 TETORI BE-ja DO TË NIS SISTEMIN E RI DIGJITAL TË HYRJE-DALJEVE

    NGA 12 TETORI BE-ja DO TË NIS SISTEMIN E RI DIGJITAL TË HYRJE-DALJEVE

    Nga 12 tetori i këtij viti, Bashkimi Evropian do të zbatojë Entry/Exit System (EES), një platformë e re digjitale për regjistrimin e hyrjes dhe daljes në vendet e zonës Schengen.

    Ky sistem do të zbatohet për të gjithë shtetasit jo-BE, përfshirë edhe qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt Evropës. Me këtë rregull, nuk do të vendosen më vula në pasaportë, pasi të dhënat do të regjistrohen në mënyrë digjitale.

    Në momentin e kalimit të kufirit, udhëtarëve do t’u merren automatikisht gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, ndërsa çdo hyrje dhe dalje do të evidentohet në sistem.

    “Sistemi i ri për hyrje dalje në vendet e BE-së nuk do të ketë pengesa të tjera përveç vonimit në procedura dhe kontrolle shtesë kjo do të njihet si një formalitet i shtuar për ti verifikuar të gjithë ata që hyjnë në zonën schengen” tha Elbasan Osmani.

    Osmani thotë se ky rregull i ri nuk përmban ndonjë ndryshim për qytetarët e Kosovës.

    “Sa i përket Kosovës nuk do të ketë avantazh as diskriminim në këtë proces të gjithë qytetarët do të lëvizin njëjte, lirshëm por vetëm me procedura të shtuara” shtoi ai për ATV-në.

    Megjithatë, qytetarët po e vlerësojnë këtë ndryshim.

    Sipas autoriteteve të BE-së kjo metodë do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe në menaxhimin më efikas të kufijve.

  • Zhegrova pjesë e listës kundër Villareal

    Zhegrova pjesë e listës kundër Villareal

    Juventusi do të udhëtojë drejt Spanjës për përballjen me Villarrealin në Ligën e Kampionëve pa dy nga lojtarët e tij kryesorë: Gleison Bremer dhe Khephren Thuram. Të dy futbollistët u detyruan të largoheshin nga fusha për shkak të lëndimeve gjatë pjesës së dytë të ndeshjes kundër Atalantës në Serie A.

    Thuram u stërvit i vetëm të martën në mëngjes, ndërsa Bremer zhvilloi një seancë normale me grupin, duke ngritur shpresa për rikuperim. Megjithatë, asnjëri nuk është përfshirë në listën e udhëtimit për sfidën e së mërkurës.

    Në anën tjetër, Francisco Conceiçao është rikuperuar dhe do të jetë në dispozicion të skuadrës, ndërsa Edon Zhegrova është gjithashtu i ftuar për ndeshjen.

    Trajneri Igor Tudor pritet të japë detaje shtesë mbi gjendjen e skuadrës gjatë konferencës për shtyp.

    Juventusi vjen në këtë ndeshje pas tre barazimeve radhazi kundër Hellas Veronës, Borussia Dortmundit dhe Atalantës, dhe është në kërkim të një fitoreje për të dalë nga kjo seri pa shkëlqim.

    Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Kriza në pankinë: Tre trajnerë largohen pas shtatë xhirove në Superligë

    Kriza në pankinë: Tre trajnerë largohen pas shtatë xhirove në Superligë

    Vetëm shtatë javë kanë mjaftuar që Superliga e Kosovës të përjetojë lëvizjet e para në bankinë. Tre trajnerë janë ndarë nga ekipet e tyre – dy me dorëheqje dhe një me shkarkim – duke reflektuar klimën e pasigurt dhe pritshmëritë e larta në futbollin vendor.

    Elon Berisha ishte i pari që humbi postin. Prishtina e Re vendosi ta shkarkojë pas pesë ndeshjeve, ku kishte grumbulluar dy fitore dhe tre humbje. Edhe pse sezoni ishte në fazën fillestare, drejtuesit nuk panë arsye për të vazhduar me të.

    Ardian Nuhiu zgjodhi të largohej vetë nga Gjilani pas javës së shtatë. Me dy fitore, një barazim dhe tre humbje, rezultatet nuk i përmbushën pritshmëritë, dhe trajneri vendosi të tërhiqej para se situata të përkeqësohej më tej.

    E njëjta rrugë u ndoq edhe nga Arsim Abazi në Ferizaj. Pas një fillimi mbresëlënës me dy fitore, pesë humbje radhazi e ndryshuan atmosferën në skuadër dhe Abazi dorëzoi detyrën.

    Tre largime në shtatë javë tregojnë një realitet të ashpër: durimi në futbollin kosovar është gjithnjë e më i pakët, ndërsa presioni për rezultate të menjëhershme nuk po fal askënd. /ATVLIVE.TV

  • Mirlind Daku shkëlqen në Rusi dhe hyn në elitën e golashënuesve europianë

    Mirlind Daku shkëlqen në Rusi dhe hyn në elitën e golashënuesve europianë

    Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku po kalon një sezon mbresëlënës me Rubin Kazan në Premier Ligën Ruse, duke shënuar 8 gola në 10 ndeshje. Forma e tij e jashtëzakonshme e rendit atë mes golashënuesve më të mirë në Evropë, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura në kontinent.

    Daku po spikat me kombinimin e forcës fizike, shpejtësisë dhe teknikës, duke u shfaqur vazhdimisht si një rrezik serioz në zonën kundërshtare. Përveç golave, ai ka kontribuar edhe me asistime, duke u shndërruar në një pikë kyçe të ofensivës së ekipit rus.

    Në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit 2025-2026 në Evropë bëjnë pjesë emra të mëdhenj të futbollit botëror:

    Harry Kane (Bayern Munich, Angli) – 10 gola në 5 ndeshje, me një start dominues në Bundesliga.

    Erling Haaland (Manchester City, Norvegji) – 8 gola në 6 ndeshje, duke konfirmuar statusin si një nga sulmuesit më të frikshëm në Premier League.

    Kylian Mbappé (Real Madrid, Francë) – 8 gola në 7 ndeshje, me një ndikim të menjëhershëm në La Liga.

    Aleksey Batrakov (Lokomotiv Moskë, Rusi) – 8 gola në 10 ndeshje, një surprizë pozitive e këtij sezoni.

    Julián Álvarez (Atlético Madrid, Argjentinë) – 6 gola në 7 ndeshje, duke sjellë rrezik dhe intensitet në sulm.

    Ayase Ueda (Feyenoord, Japoni) – 6 gola në 7 ndeshje, në një formë të shkëlqyer në Eredivisie.

    Maksim Glushenkov (Zenit, Rusi) – 6 gola në 8 ndeshje, i vendosur në mesin e më të mirëve në Ligën Ruse.

    Petar Ratkov (Red Bull Salzburg, Serbi) – 6 gola në 8 ndeshje, ndër emrat më të spikatur në kampionatin austriak.

    Brynjólfur Willumsson (Groningen, Islandë) – 5 gola në 4 ndeshje, me efikasitet mbresëlënës në pak minuta lojë.

    Me formën e tij të qëndrueshme dhe potencialin e madh, Mirlind Daku është një emër që po ndiqet me vëmendje në tregun europian. Një transferim në një ligë më prestigjioze nuk përjashtohet, dhe sezoni 2025-2026 mund të jetë kthesa e madhe në karrierën e tij. /ATVLIVE.TV

  • KB Bashkimi kërkon kualifikimin në FIBA Europe Cup

    KB Bashkimi kërkon kualifikimin në FIBA Europe Cup

    KB Bashkimi pas fitores shumë të rëndësishme përballë Anwil-it kërkon për herë të parë të jetë pjesë e grupeve në FIBA Europe Cup.

    Për të arritur suksesin historik për klubin më të vjetër në Kosovë, prizrenasit duhet të ruajnë epërsinë e pikëve nga fitorja e parë.

    Sfida në Prizren përfundoi 80:75 për portokallezinjtë, derisa në grupe do të hyjë skuadra që është më e mirë nga dy ndeshjet.

    Nënkampionët për herë të parë janë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, ndërsa nëse kalojnë pengesën në Poloni, atëherë do t’i bashkoheshin kampiones së Kosovës, Trepçës, si dhe PAOK-ut të
    Greqisë dhe Braunschweig të Gjermanisë në Grupin F.

    Anwil është një nga skuadrat më të forta polake në vitet e fundit, ku para dy vitesh kishte triumfuar në FIBA Europe Cup, kurse edicionin e kaluar ishte ndalur në Raundin e 1/16-tes.

    Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Poloni nga ora 18:30. /ATVLIVE.TV