Author: Pranvera Krasniqi
-

KEK-u synon shitjen e hirit dhe zgurrës
Korporata Energjetike po mëton të fitojë miliona euro nga mbetjet gjatë procesit të prodhimit të rrymës.
Për herë të parë, janë vënë në shitje hiri e zgurra, të mbledhura ndër vite në dy termocentralet.
Tenderi ka vlerën mbi 3 milionë euro, kurse operator fitues do të jetë kushdo që ofron çmimin më të lartë.
STAND UP: PRANVERA KRASNIQI, ATV
“Sasia që del në treg është shumëvjeçare. Janë 300 mijë ton hiri nga Kosova A dhe 600 mijë ton nga Kosova B. Poashtu, 30 mijë ton zgurë nga Kosova A dhe 60 mijë ton nga B-ja. Një pjesë e tyre gjindet në hapësirën e termocentraleve kurse sasia tjetër, përmes gypave, derdhet në afërsi të deponisë së mbeturinave në Mirash.”
Hiri e zgura përdoren kryesisht në industrinë e ndërtimit, sidomos në prodhimin e çimentos dhe betonit.
Për operatorët privatë kjo nismë shihet si mundësi biznesi, ndërkaq për KEK-un, mundësi fitimi.
Shitja e këtyre mbetjeve ka qenë temë diskutimi edhe më herët, por sipas inxhinierit Driton Tafallari, nuk kishte të interesuar. Andaj, druan se mos po përsëritet situatë e njëjtë.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është më 11 nëntor, ndërsa KEK-u ka ftuar të gjithë të interesuarit që më 5 nëntor, në orën 10:00, të paraqiten për vizitë në terren, për të parë nga afër lokacionet dhe kushtet teknike. -

Mungojnë Mujka, Muzliukaj dhe mbrojtja, dështon gjykimi për korrupsion
Nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, 4 vjet më parë, Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, ishin thirrur të paraqiteshin në gjykatore, paraditen e së mërkurë.
Mujka akuzohet se në vitin 2021, si nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, bashkë me Muzliukajn, që ishte drejtori i gjeodezisë, me qëllim të dobisë pasurore, i shkaktuar dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vlerë prej 125 mijë euro.
Mirëpo, për shkak të mungesës së avokatëve të tyre, asnjëri prej tyre nuk erdhi.Avokati i Mujkës, Xhafer Tahiri, kishte njoftuar gjykatën se për arsye personale e shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm.Kurse avokati i Muzliukajt, Ahmet Tahiri, kishte një seancë tjetër, po në të njëjtën kohë.
Si pasojë, seanca u ndërpre dhe u caktua për një datë tjetër.Gjykatësja tha se do të vlerësohet nëse të akuzuarit kanë pranuar ftesat dhe, nëse është e nevojshme, do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim në seancë.
Në këtë seancë ishin të pranishme prokurorja speciale Ilirijana Qollaku dhe përfaqësuesja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dhurata Bytyqi.
Faruk Mujka ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 dhe gjatë bastisjeve, policia i kishte sekuestruar 60 mijë euro para të gatshme.Mujka, i cili aktualisht është drejtor në ndërmarrjen “Ibër Lepenc”, përballet edhe me një aktakuzë tjetër për mosraportim të pasurisë.
-

Drejt fundit gjykimi ndaj Shaqir Kutvijsa, i akuzuar për krime lufte në burgun e Prizrenit
Shaqir Lutvija, i akuzuar për krime lufte ne burgun e Prizrenit, u soll të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në gjykimin që po shkon drejt fundit, radha i erdhi vlerësimit të provave nga gjykata.Peshë në vendimmarrje, prokurori Ilir Morina, tha se ka një raport informues i bashkangjitur me një CD, ku i akuzuari dëgjohet duke folur me dikë rreth rastit.
Trupi gjykues mori vendim që raporti të administrohet si provë, por pa u dëgjuar CD-ja.Ndërsa avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipovic, si prova tha se duhet të administrohen tri aktvendime të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që mbajnë të dhëna të Lutvijas.
Meqë dokumentet ishin të fotokopjuara dhe pa burime të detajuara, prokurori kishte dyshime se a janë origjinale.
Në mëdyshje ishte edhe trupi gjykues, andaj vendosi të mos merren parasysh.Kërkesë tjetër e saj ishte të konsiderohet provë një postim në rrjete sociale, që dikush e kishte hedhur në kohën kur u arrestua i akuzuari.Avokatja pretendon se fytyra e klientit të saj, u postua për identifikim. As kjo provë, nuk u konsiderua e vlefshme nga gjykata.Në seancën e radhës, Shaqir Lutfija ka në dispozicion kohën të deklarohet për veprën me të cilën akuzohet.
Lutfija, nga zona e Dragashit, akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë periudhës 1998-1999 në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj shqiptarëve.
-

Dëshmitarët: Vushtrriasit u masakruan e u vranë nën urdhrat e Kostiqit
Serbët njëherë e rrahën para nxënësve, e pastaj e nxorën nga shkolla.
Arsimtari Habib Mustafa thotë se këtë formë keqtrajtimi e pati gjatë luftës, nga forcat paramilitare serbe, nën urdhrin e të akuzuarit për krime lufte në Vushtrri, Zoran Kostiq.
Mustafa, i cili të hënën dëshmoi para trupit gjykues, tha se urdhrat që jepte Kostiq për çdo mizori në fshatrat e kësaj ane, i kuptoi kur u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Atë e kishte parë gjatë vëzhgimit me dylbi dhe përmes televizionit.
Mustafa thotë se i harroi grushtet që i mori, në momentit kur kuptoi se një 12 vjeçar u vra mizorisht rrugës për në shkollë, nën urdhrat e të akuzuarit.
Përmes dylbive, Kostiqin e kishte identifikuar edhe dëshmitari tjetër, Rrahim Tahiri.Kostiqin, thotë se e pa duke i prirë banorëve të fshatrave të Vushtrrisë, pas plaçkitjes e djegies së shtëpive të tyre.
I akuzuari tjetër, Dragan Miloviq, nuk u përmend asnjëherë gjatë deklarimeve të dëshmitarëve.Në seancën e së martës ishte paraparë të dëgjohet edhe dëshmia e Naim Halitit, por mungoi.
Prokuroria Speciale, Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq, pjesëtarë të forcave policore serbe i bën përgjegjës për krime lufte në Vushtrri gjatë periudhës prill- maj të vitit 1999.
-

Kolegji AAB mirëpret studentët e rinj për vitin akademik 2025/26
Destinacioni i së mërkurës ishte i qartë, Kolegji AAB.
Institucionit arsimor më të madh jopublik në vend, të mërkurën iu bashkuan qindra studentë të rinj, për t’i thelluar njohuritë në nivelin e arsimit universitar.
Fletushkat që shpërndaheshin në hyrje ishin vetëm hapi i parë drejt një të ardhmeje që premton sukses.
Për t’i dhënë atmosferës peshë solemne, në teatrin “Faruk Begolli”, i priste ceremonia e përgatitur posaçërisht për ta, ku fjalët e mirëseardhjes u shndërruan urë për etapën e re.
Rektori Blerim Olluri theksoi se studentët kanë zgjedhur vendin e duhur, një hapësirë ku dija nuk mbetet vetëm në letra, por bëhet pjesë e jetës dhe e së ardhmes së tyre.
Me fjalë frymëzuese, kryetarja e Unionit të Studentëve, Rijona Bajrami, i siguroi kolegët e saj se në këtë rrugëtim nuk do të jenë kurrë vetëm.
Në këto 25 vjet, AAB ka dëshmuar se studentët e tij hyjnë në tregun e punës shpesh para se të kenë përfunduar studimet.
Ky fakt ishte arsyeja kryesore që e shtyu Elda Pantinën të zgjedhë gazetarinë në këtë kolegj.
Një pasuri tjetër e AAB-së janë marrëveshjet me universitete ndërkombëtare, që u japin studentëve shansin të studiojnë edhe përtej kufijve të Kosovës.
Në këtë ditë, Kolegji AAB nuk ishte thjesht një institucion, por një premtim për një të ardhme të ndritur.
-

Kolegji AAB kremton 25-vjetorin e themelimit
Në hapësirën ku korrën suksese, studentët e Kolegjit AAB mbollën 25 drunj.
Rrënjët i ngulën thellë, sikur njohuritë që morën gjatë studimeve.
Ky aktivitet u realizua në 25 vjetorin e themelimit të institucionit më të madh jopublik në vend, si simbol i degëve që vazhdojnë të zgjaten drejt së ardhmes.
Çdo pemë është një dëshmi e një viti të rritjes, një gjenerate studentësh, e një kapitulli të ri.
Përveç kësaj, drunjtë reflektojnë edhe një të nesërme më të gjelbër.Për kremtë, në teatrin Faruk Begolli, u mblodhën personalitete të rëndësishme nga sfera të ndryshme.
Profesorët ndihen krenarë për arritjet e kolegjit, duke përcjellë gjenerata me radhë, secila më e suksesshme se tjetra.
Prioritet dhe hallkë e rëndësishme e AAB-së ishin edhe marrëveshjet me universitete ndërkombëtare që studentet të kenë qasje edhe përtej Kosovës.
Emocione të veçanta përjetoi Dardan Krekaj, studenti i parë që u regjistrua në AAB, para 25 vjetëve.Mes figurave të pranishme ishte edhe Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Për angazhimin e saj ndaj atyre që jetuan nën errësirën e pasluftës, AAB e shpërbleu me çmimin ndërkombëtar për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Organizimi shoqërohej herë pas here me pika muzikore.
Më pas, këngët jehuan edhe jashtë teatrit, derisa pjesëmarrësit sodisnin ekspozitën me pikturat e punuara nga studentet e kolegjit.AAB, që tashmë është dëshmuar si një prej institucioneve më cilësore të arsimit në vend, ofron mundësi studimi në 47 drejtime të akredituara.
Poashtu, në këtë 25 vjetor, kolegji do të ndajë 25 bursa për studentë, duke simbolizuar vazhdimësinë e dijes dhe lulëzimin e gjeneratave të ardhshme.