ATV

Author: N.T.

  • Xhirot vendimtare në Superligë, titulli, Evropa dhe mbijetesa në lojë

    Xhirot vendimtare në Superligë, titulli, Evropa dhe mbijetesa në lojë

    Albi Mall Superliga e Kosovës po hyn në fazën më të nxehtë të sezonit, ku çdo ndeshje mund të përcaktojë fatin e skuadrave, nga titulli kampion, te garat evropiane e deri te mbijetesa në elitë.

    Xhiro e 33-të pritet të jetë vendimtare, me përballje që mbartin peshë të madhe për renditjen përfundimtare.

    Java hapet të mërkurën me derbin e kryeqytetit, ku Prishtina e Re përballet me Prishtina në Hajvali, në një duel që nis nga ora 15:00 dhe premton rivalitet të fortë.

    Të shtunën, vëmendja zhvendoset në Gjilan, ku Drita pret Ballkani. Vendasit janë shumë pranë titullit dhe një fitore do t’i kurorëzonte matematikisht kampionë të Kosovës.

    Po atë ditë, në Skenderaj, Drenica përballet me Gjilani në një tjetër ndeshje me rëndësi të madhe për renditjen.

    Xhiro mbyllet të dielën me dy përballje të tjera që nisin nga ora 16:00. Llapi pret Dukagjini, ndërsa Ferizaj do të përballet me Malisheva.

    Me kaq shumë objektiva në lojë, fundi i sezonit pritet të sjellë dramë, emocione dhe kthesa të mëdha në garën për sukses.

  • Gjysmëfinalja vendimtare: Bashkimi dhe Bora përballen për biletën e finales

    Gjysmëfinalja vendimtare: Bashkimi dhe Bora përballen për biletën e finales

    Të mërkurën mbrëma, Bashkimi dhe Bora zbresin në parket për ndeshjen që do të përcaktojë finalistin e dytë të “Play-off”-it, në një përballje ku nuk ka më vend për gabime.

    Seria gjysmëfinale është e barabartë 2:2 dhe skuadra që triumfon do t’i bashkohet Trepça në finalen e madhe.

    “Portokallezinjtë” synojnë rikthimin në finale dhe luftojnë për titullin kampion, ndërsa Bora po jeton një sezon historik. Për herë të parë në “Play-off”, skuadra nga Prishtina vazhdon të ëndërrojë dhe të synojë edhe më shumë.

    Katër përballjet e deritanishme kanë qenë të mbushura me emocione, kthesa dhe rivalitet të fortë, duke e lënë gjithçka të hapur për sfidën vendimtare.

    Ndeshja e parë u fitua nga Bashkimi 73:70, ndërsa Bora reagoi menjëherë duke triumfuar 76:75 në takimin e dytë. Në Prizren, vendasit rikthyen epërsinë me fitoren 88:73, por prishtinasit barazuan serinë pas suksesit dramatik 104:99 në ndeshjen e fundit.

    Tani gjithçka do të vendoset në 40 minutat e fundit, një duel që premton spektakël dhe emocione deri në sekondën e fundit. Ndeshja nis nga ora 19:30.

  • Interi i vendos çmim të lartë Bastonit, Barcelona në vështirësi për transferimin

    Interi i vendos çmim të lartë Bastonit, Barcelona në vështirësi për transferimin

    Inter ka bërë të qartë qëndrimin e tij sa i përket së ardhmes së Alessandro Bastoni, duke vendosur një çmim të lartë që e bën të vështirë çdo tentativë të Barcelona për ta transferuar gjatë verës.

    Sipas raportimeve nga Fabrizio Romano, klubi zikaltër nuk pranon të negociojë për më pak se 70 milionë euro për mbrojtësin italian, i cili konsiderohet një nga shtyllat kryesore të skuadrës.

    Interi do të shqyrtonte largimin e tij vetëm nëse vetë lojtari kërkon një transferim, por deri tani Bastoni nuk ka dhënë asnjë sinjal për një lëvizje të tillë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm nga Barcelona.

    Në anën tjetër, situata financiare e klubit katalanas e bën këtë operacion edhe më të komplikuar, duke e kthyer transferimin në një objektiv të vështirë për këtë merkato.

    Barcelona mbetet në kërkim të një qendërmbrojtësi cilësor për të përforcuar prapavijën, me Bastonin në krye të listës. Megjithatë, në radar janë edhe alternativa si Jon Martin i Real Sociedad dhe Cristian Romero i Tottenham Hotspur.

    Për momentin, gjithçka mbetet nën kontrollin e Interit, i cili nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm pa një ofertë të jashtëzakonshme.

  • Galatasaray synon transferimin e Bruno Fernandes në verë

    Galatasaray synon transferimin e Bruno Fernandes në verë

    Galatasaray po përgatitet për një merkato verore shumë ambicioze, me synimin për të ngritur ndjeshëm cilësinë e skuadrës. Në krye të listës së dëshirave qëndron kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, një emër që konsiderohet si objektivi ideal për mesfushën.

    Klubi turk po kërkon përforcime kyçe në repartin e mesfushës, konkretisht një organizator loje dhe një mesfushor me tipare mbrojtëse. Në këtë kontekst, profili i Fernandes shihet si i përkryer për të udhëhequr skuadrën në nivele më të larta.

    Interesi për portugezin nuk është i ri, Galatasaray kishte tentuar të afrohej me të edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit. Sipas raportimeve, kontaktet pritet të rifillojnë gjatë verës, megjithatë realizimi i këtij transferimi mbetet një mision shumë i vështirë.

    Arsyeja kryesore është e qartë, Manchester United ka siguruar pjesëmarrjen në UEFA Champions League për sezonin 2026/27, duke e bërë largimin e kapitenit të tyre pak të mundshëm.

    Forma e shkëlqyer e Fernandes këtë sezon vetëm sa e rrit interesin për të. Ai ka regjistruar 19 asistime në Premier League, shtatë më shumë se rekordi i tij i mëparshëm, duke iu afruar ndjeshëm rekordit historik të një sezoni që mbahet nga Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.

    Përveç asistimeve, Fernandes ka kontribuar edhe me 8 gola në kampionat, duke konfirmuar rolin e tij si një nga mesfushorët më vendimtarë në futbollin evropian aktual.

  • Gjithçka vendoset sonte: Arsenal–Atletico, beteja për finalen e madhe

    Gjithçka vendoset sonte: Arsenal–Atletico, beteja për finalen e madhe

    Sonte mbrëma, Arsenal dhe Atletico Madrid përballen në një duel vendimtar në gjysmëfinalen e UEFA Champions League, ku vetëm njëra skuadër do të sigurojë biletën për finalen e sezonit 2025/26.

    Takimi i parë në Metropolitano Stadium përfundoi 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Emirates Stadium. Nuk ka favorit të qartë, vetëm tension, pritje dhe 90 minuta që vlejnë sa një sezon i tërë.

    Arsenali synon të rikthehet në një finale të madhe evropiane pas dy dekadash, i mbështetur nga atmosfera elektrizuese në shtëpi dhe loja dinamike. Por përballë ka një Atletico Madrid të kalitur për netë të tilla, të organizuar, të fortë në mbrojtje dhe tejet të rrezikshëm në kundërsulme. Në një përballje kaq të ekuilibruar, një moment i vetëm mund të bëjë diferencën mes lavdisë dhe eliminimit.

    Presioni është në kulm dhe çdo duel në fushë do të ketë peshë vendimtare. Gabimet nuk falen, ndërsa durimi dhe përqendrimi mund të shpërblehen me një vend në finale.

    Ndërkohë, spektakli vazhdon edhe të mërkurën në Gjermani, ku Bayern Munich pret Paris Saint-Germain në Allianz Arena. Me rezultatin e parë 5-4 në favor të francezëve, gjithçka mbetet e hapur. PSG ka një avantazh minimal, por Bayern në shtëpi di të shndërrohet në një forcë të pakontrollueshme.

    Dy net, katër gjigantë dhe vetëm dy vende në finale, emocionet janë në kulmin e tyre.

  • Timberwolves dhe Knicks nisin fuqishëm gjysmëfinalet e NBA-së

    Timberwolves dhe Knicks nisin fuqishëm gjysmëfinalet e NBA-së

    Minnesota Timberwolves dhe New York Knicks e kanë hapur me fitore fazën gjysmëfinale të konferencave në NBA, duke kaluar në epërsi 1-0 në seritë e tyre.

    Në Perëndim, Timberwolves morën një fitore të vështirë 104-102 ndaj San Antonio Spurs në një përballje dramatike në San Antonio. Rikthimi i Anthony Edwards rezultoi vendimtar, pasi ai kontribuoi me 18 pikë, pavarësisht dyshimeve për shkak të dëmtimit.

    Figura kryesore për Minnesotën ishte Julius Randle me 21 pikë dhe 10 ribaunde. Në anën tjetër, për Spurs u dalluan Dylan Harper me 18 pikë, si dhe Julian Champagnie dhe Stephon Castle me nga 17 pikë secili.

    Ndeshja u vendos në çastet e fundit, kur vendasit u afruan në 104-102 pas një ndërhyrjeje të Devin Vassell dhe realizimit të Harper. Megjithatë, tentativa për tre pikë nga Champagnie në sekondat e fundit nuk gjeti shënjestër, duke vulosur fitoren e mysafirëve.

    Një performancë e rrallë u regjistrua nga Victor Wembanyama, i cili realizoi triple-double me 11 pikë, 15 ribaunde dhe plot 12 bllokime, një arritje historike në fazën e playoff-it.

    Edwards, i cili pritej të mungonte pas dëmtimit të pësuar ndaj Denver Nuggets, u rikthye më herët se parashikimet dhe kontribuoi për 25 minuta me efikasitet të lartë në gjuajtje.

     

    Në Lindje, New York Knicks dominuan bindshëm Philadelphia 76ers me rezultatin e thellë 137-98.

    Jalen Brunson udhëhoqi skuadrën me 35 pikë, ndërsa OG Anunoby shtoi 18. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Mikal Bridges dhe Karl-Anthony Towns me nga 17 pikë secili.

    Me këtë fitore të thellë, Knicks japin një mesazh të qartë për ambiciet e tyre në këtë fazë të playoff-it, duke marrë një epërsi të rëndësishme në seri.

  • Llapi bind me paraqitje të shkëlqyer ndaj Prishtina e Re dhe feston fitore të thellë

    Llapi bind me paraqitje të shkëlqyer ndaj Prishtina e Re dhe feston fitore të thellë

    Llapi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e 31-të të Superliga e Kosovës, duke mposhtur bindshëm Prishtina e Re me rezultat të thellë 4-0.

    Vendasit hynë në fushë me intensitet të lartë dhe e treguan që në start se sa shumë u duheshin pikët. Vetëm në minutën e 6-të, Arbnor Ramadani zhbllokoi rezultatin, duke i dhënë epërsinë e hershme skuadrës së tij. Pavarësisht disa rasteve të tjera, pjesa e parë u mbyll me këtë avantazh minimal.

    Gjithçka u bë edhe më e lehtë për Llapin në pjesën e dytë, kur Prishtina e Re mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Endrit Morina në minutën e 53-të.

    Duke shfrytëzuar epërsinë numerike, vendasit shtuan presionin dhe në vazhdim gjetën edhe golat e tjerë. Arianit Hasani dyfishoi shifrat, ndërsa në minutën e 85-të Erio Sadriu shënoi për 3-0, duke vulosur praktikisht fitoren. Në sekondat e fundit, Fiton Ademi kompletoi “festivalin” e golave për rezultatin përfundimtar 4-0.

    Me këtë sukses, Llapi arrin në kuotën e 36 pikëve dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë, duke u përballur me një situatë gjithnjë e më të vështirë.

  • Malisheva dominon Gjilani dhe merr tri pikë të sigurta në shtëpi

    Malisheva dominon Gjilani dhe merr tri pikë të sigurta në shtëpi

    Malisheva ka marrë një fitore të rëndësishme në kuadër të javës së 31-të në Superliga e Kosovës, duke mposhtur Gjilani me rezultat 3-1 në një ndeshje ku vendasit dominuan nga fillimi deri në fund.

    Takimi nisi me energji nga Malisheva, e cila gjeti shpejt avantazhin. Në minutën e 18-të, Xhemajl Ibishi shfrytëzoi një rast të mirë për të kaluar ekipin e tij në epërsi. Presioni i vendasve nuk u ndal me kaq dhe në fundin e pjesës së parë, konkretisht në minutën e 45-të, Dreni Kryeziu dyfishoi shifrat, duke e dërguar skuadrën në pushim me një epërsi komode.

    Në pjesën e dytë, Malisheva tregoi pjekuri në menaxhimin e lojës, duke kontrolluar ritmin dhe duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit. Në minutën e 72-të, sërish Xhemajl Ibishi u shfaq vendimtar, duke realizuar golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij.

    Në minutat shtesë, Gjilani arriti të shënojë golin e nderit përmes Armend Thaqi, duke ngushtuar rezultatin në 3-1, por pa arritur të ndryshojë fatin e takimit.

    Me këtë fitore, Malisheva konfirmon formën e mirë dhe siguron tri pikë të vlefshme para tifozëve të saj.

  • Drita fiton derbin ndaj Prishtina dhe afrohet me titullin

    Drita fiton derbin ndaj Prishtina dhe afrohet me titullin

    Drita ka dalë fituese në derbin e javës së 31-të të Superliga e Kosovës, duke mposhtur Prishtina me rezultat minimal 1-0 në një përballje të luftuar deri në fund.

    Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht disa tentativave serioze nga të dyja skuadrat. Portierët Faton Maloku dhe Altin Gjoka u treguan të sigurt, ndërsa rastet më të mira në këtë pjesë i patën Besnik Krasniqi dhe Gjelbrim Taipi.

    Në fraksionin e dytë, Prishtina rriti presionin dhe iu afrua golit, me momentin më të rrezikshëm që erdhi nga Valmir Veliu, i cili goditi shtyllën.

    Megjithatë, kur pritej që vendasit të konkretizonin dominimin, goditjen vendimtare e dha Drita. Në minutën e 81-të, pas një aksioni të bukur, Liridon Balaj asistoi për Blerim Krasniqi, i cili nga afërsia realizoi golin që vendosi fatin e takimit.

    Deri në fund nuk pati ndryshim rezultati, dhe Drita mori një fitore shumë të rëndësishme që e afron edhe më shumë me titullin kampion. Pas kësaj ndeshjeje, ajo kryeson renditjen me 60 pikë, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë.

  • Anthony Joshua: Jam gati të rikthehem dhe të dëshmoj veten ndaj Kristian Prenga

    Anthony Joshua: Jam gati të rikthehem dhe të dëshmoj veten ndaj Kristian Prenga

    Bota e boksit po përgatitet për një duel të madh këtë verë, ku boksieri britanik Anthony Joshua do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga, në një meç që tashmë ka nisur të marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare.

    Kjo do të jetë përballja e parë e Joshuas pas rikthimit në stërvitje, në një periudhë tejet të vështirë personale për të, pas një aksidenti tragjik me makinë në muajin dhjetor, ku humbi dy miq të tij të ngushtë. Britaniku pritet të hyjë në ring me motivim të lartë, duke kërkuar t’ua dedikojë fitoren atyre që nuk janë më.

    Meçi ndaj Prengës është pjesë e një marrëveshjeje të re me disa ndeshje, që shënon një kapitull të ri në karrierën e ish-kampionit të botës. Nëse ai del fitues, mediat sportive raportojnë se një super përballje e shumëpritur me Tyson Fury mund të jetë shumë afër realizimit.

    Në letër, Joshua shihet si favorit, duke marrë parasysh përvojën e tij në nivelet më të larta të boksit dhe përballjet me emra të mëdhenj si Andy Ruiz Jr. dhe Oleksandr Usyk, ndaj të cilëve ka zhvilluar duele historike.

    Megjithatë, Prenga nuk duhet nënvlerësuar. Boksieri shqiptar ka një fizik të fortë, me gjatësi 1.88 metra dhe një rekord profesional mbresëlënës prej 20 fitoreve dhe vetëm 1 humbjeje, duke e bërë atë një kundërshtar të rrezikshëm në ring.

    Vetë Joshua ka folur për këtë rikthim, duke theksuar se ka marrë kohë për t’u rikuperuar fizikisht dhe mendërisht dhe se tani ndihet gati për një kapitull të ri në karrierën e tij. Ai ka konfirmuar gjithashtu marrëveshjen për disa ndeshje, duke nisur nga 25 korriku në Arabinë Saudite, ku pritet të rikthehet fuqishëm në skenën e madhe të boksit.

    Britaniku e ka përshkruar këtë fazë si një “rikthim në rrugën e duhur”, duke lënë të kuptohet se synimi i tij mbetet rikthimi në majat e boksit botëror.