Barcelona mund të përballet me një mungesë të rëndësishme në prag të El Clasicos ndaj Real Madridit, pasi Dani Olmo ka pësuar një lëndim në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit dhe rrezikon të mos jetë i gatshëm për sfidën e së dielës.
Sipas mediumit spanjoll AS, mesfushori ofensiv nuk pritet të rikuperohet në kohë për duelin e madh ndaj rivalit madrilen, duke i shtuar shqetësimet e trajnerit Hansi Flick në një moment të rëndësishëm të sezonit.
Megjithatë, ende nuk ka një diagnozë përfundimtare për gjendjen e futbollistit. Ekzaminimet mjekësore pritet të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperimin e tij.
Reprezentuesi spanjoll e nisi nga minuta e parë përballjen ndaj PSG-së, me Flickun që i besoi atij një vend në formacionin titullar, përpara Fermin Lopezit.
Por paraqitja e tij përfundoi shumë shpejt. Pas një përplasjeje me mesfushorin e skuadrës franceze, Vitinha, Olmo u rrëzua në fushë dhe sinjalizoi se nuk mund të vazhdonte më lojën.
Në vend të tij u aktivizua Fermin Lopez, ndërsa pamjet televizive shfaqën zhgënjimin e dukshëm të futbollistit të Barcelonës pas këtij incidenti.
Sipas raportimit të AS, një rezonancë magnetike e planifikuar për të mërkurën në Barcelonë pritet të qartësojë natyrën e lëndimit dhe mundësitë e rikthimit të tij.
Nëse ekzaminimet konfirmojnë një çarje muskulore, Olmo mund të qëndrojë jashtë fushave për katër deri në pesë javë.
Një skenar i tillë do të ishte një goditje e ndjeshme për Barcelonën, e cila mund të humbasë shërbimet e një lojtari të rëndësishëm në një periudhë me ndeshje të shumta dhe sfida vendimtare.
Për Hansi Flickun, shqetësimi kryesor tani është gjendja fizike e Olmos dhe mundësia për ta pasur atë në dispozicion për El Clasicon, një prej përballjeve më të rëndësishme të sezonit ndaj Real Madridit.
