Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për xhiron e dhjetë të elitës së futbollit kosovar. Këtë herë, vlerësimi i është akorduar futbollistit të FC Prishtinës, Rin Ahmeti.
Ahmeti u dallua me paraqitjen e tij në përballjen ndaj FC Ballkanit në Suharekë, ku shënoi golin vendimtar që i siguroi skuadrës kryeqytetase një fitore të rëndësishme në udhëtim.
Goli i tij rezultoi përcaktues për triumfin e Prishtinës, e cila nga kjo përballje arkëtoi tri pikë të vlefshme në garën kampionale. Me këtë kontribut, Ahmeti u shndërrua në njërin prej protagonistëve kryesorë të xhiros së dhjetë.
Fituesi i çmimit “Ylli i Javës” është përzgjedhur nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në kuadër të vlerësimit të futbollistëve që lënë gjurmë me paraqitjet e tyre në Albi Mall Superligë.
