ATV

Gashani i përgjigjet Ramës për Lojërat Mesdhetare 2030: Kosova do t’i organizojë

Written by

in

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas shqetësimeve të këtij të fundit lidhur me rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.

Rama, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Kosova rrezikon ta humbasë këtë mundësi, duke iu referuar një komunikimi të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Sipas tij, mungesa e përgjigjeve institucionale ka bërë që situata të shqyrtohet më 19 dhjetor, ndërsa mund të thirret edhe një Asamble e Jashtëzakonshme për të vendosur mbi të ardhmen e organizimit.

Në reagimin e tij, ministri Gashani e ka kritikuar mënyrën se si Rama e ka bërë publike këtë çështje, duke thënë se korrespondenca nuk pasqyron tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.

Gashani ka theksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për realizimin e këtij projekti dhe se puna po vazhdon në bashkëpunim me ICMG-në dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Ai ka shtuar se vështirësitë dhe obligimet që lidhen me organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla po trajtohen me seriozitet, ndërsa ka bërë thirrje që vëmendja të përqendrohet te puna konkrete dhe bashkëpunimi institucional.

Në fund të reagimit të tij, ministri ka dhënë një mesazh të qartë, duke këmbëngulur se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 dhe se synimi është që vendi të prezantohet me sukses, si në organizimin e garave, ashtu edhe përmes rezultateve të sportistëve kosovarë.