ATV

Vinicius Junior kundërshton pezullimin me katër ndeshje

Written by

in

Vinicius Junior ka reaguar ashpër ndaj vendimit për ta pezulluar me katër ndeshje, pas incidentit të ndodhur në përballjen mes Real Madridit dhe Villarrealit, të cilën madrilenët e fituan me rezultat 1-0.

Ylli brazilian u ndëshkua pasi kapi për flokësh Nathan Saliban gjatë një aksioni që përfundoi me gol. Pas rishikimit të pamjeve përmes sistemit VAR, goli u anulua, ndërsa veprimi i sulmuesit solli edhe masa disiplinore ndaj tij.

Megjithatë, Vinicius nuk e ka pritur mirë vendimin, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si u komunikua pezullimi. Ai pretendon se autoritetet e kishin pasur të gjithë ditën në dispozicion për ta njoftuar, por lajmin e mori vesh vetëm pasi mbërriti në stadium.

Braziliani shprehu pakënaqësi edhe për mungesën e informimit rreth rregullit të ri që lidhet me incidente të tilla. Sipas tij, përfaqësuesit e La Ligës zakonisht i informojnë futbollistët për ndryshimet në rregullore, por këtë herë nuk kishte pasur një shpjegim të qartë për dispozitën në fjalë.

Përveç kritikave ndaj organizatorëve të kampionatit spanjoll, Vinicius mohoi se kishte ushtruar ndonjëherë dhunë ndaj një futbollisti kundërshtar. Ai theksoi se shpeshherë është vetë objekt i ndërhyrjeve të kundërshtarëve, por në shumë raste përfundon duke u ndëshkuar me karton.

Pezullimi përbën një goditje për Real Madridin, pasi mungesa e brazilianit në katër ndeshje mund të ndikojë në planet e skuadrës për sfidat e ardhshme, përfshirë edhe përballjen e shumëpritur ndaj Barcelonës në El Clasico.